Një pallat në zonën e “Selvies” në kryeqytet, u shndërrua në vendngjarje këtë të premte pasdite. Në një prej apartamenteve të tij, u gjetën të pajeta dy ukrainase, të moshës 25 dhe 40 vjeç, nga mikesha e tyre, e cila njoftoi policinë. Vajzat, që kishin ardhur në Shqipëri në fillim të majit, dyshohet se kanë ndërruar jetë nga mbidoza. Në banesën e tyre, policia ka gjetur mbetje medikamentesh me përmbajtje narkotikësh, që dyshohet se janë konsumuar nga vajzat.
Gjithsesi, përgjigjen përfundimtare do ta japin ekspertimet biologjike dhe ato të ADN-së në policinë shkencore.
Dyshimet shtohen edhe me tej, pasi Antonina Kozachenko dhe Anastasia Lopukhova, dy ditë më parë në një farmaci në zonën e 21 Dhjetorit, janë konfliktuar me një farmaciste, pasi kanë kërkuar të blejnë ilaçe depresioni, të cilat lëshohen vetëm me recete. Kur farmacistja ka refuzuar t’u japë medikamentet, vajzat janë bërë agresive.
Çelës për hetimin është dëshmia e shoqes së tyre të dhomës, Yeva Vorona, e cila ka mbërritur në Shqipëri para dy muajsh. Ishte pikërisht ajo që i gjeti vajzat e pajeta dhe njoftoi policinë. Vajza ka treguar se Antonina Kozachenko Anastasia Lopukhova kanë jetuar me qira ditore në zona të ndryshme të Tiranës. Në këtë apartament, kishin mbërritur të shtunën. Policia ka dyshime se vajzat mund të kenë mbërritur në Shqipëri si punonjëse seksi, megjithatë, hetimet do të hedhin dritë mbi të shkuarën e tyre.