Nga Ben Andoni
Ka nisur të ketë shumë pritshmëri te opozita për datën 11 Qershor, kohë kur Gjykata e Apelit pritet të japë vendim për sa i përket simbolikës së PD-së dhe se kujt i takon ajo prej dy palëve. “Legalët” dhe “Rithemelimi” janë transformuar në dy gjysma pa kontakte (me një grup hibrid drejt Berishës) që nga Janari i pak viteve më parë, kur desh e kallën në zjarr Godinën e Partisë Demokratike. Kohët kanë ndryshuar, por kujtimet peshojnë. Sesa gjykimi këtë herë do të vlerësohet do ta shikojmë mbrëmjen e 11 Qershorit, kur palët do të tregojnë nëse e pranojnë apo jo, por një logjikë e thjeshtë të drejton tek fakti se: saga e PD-së do të vazhdojë të mbartet. E para se të pakënaqurit e asaj dite kanë dhe shkallë tjetër, ku mund të ankimohen, por e dyta, duket se ky pozicion u pëlqen. E theksojmë pikën e dytë, pasi ishte e gjithë mundësia që tashmë një vit nga zgjedhjet e përgjithshme (ende ka një mundësi për zgjedhje të parakohshme, paçka asaj që përjashton kategorikisht PS-ja), PD-ja të gjente një formulë pragmatizmi dhe të niste me strukturat e bashkuara përpjekjen për riardhjen në pushtet.
Për fatin e madh të tyre, PS dhe PD e kanë domenin e zgjedhjeve në vend, që do të thotë se në mos njëra patjetër do jetë tjera, që do kapi pushtetin. Shqipëria aplikoi vitet e fundit sistemin proporcional rajonal të mbyllur, kurse në zgjedhjet e fundit të 25 prillit u përdor sistemi zgjedhor proporcional rajonal me lista te hapura. Me paqartësinë që ka përfaqësimi i Reformës Zgjedhore (kalimi si nënkomision te ‘Ligjet’) me marrjen e protagonizmit të PS-së dhe Rithemelimit (PD), duket se paradoksi do të vazhdojë, por duket edhe si sinjal, për ata që besojnë se PS ndikon te Drejtësia, që Vula mund të shkojë edhe tek Rithemelimi. Që do të thotë se hapësira për partitë e reja do jetë sërish e vogël.
Pa përmendur historinë, duhet të themi në mënyrë koncise, se vitet e fundit ka përpjekje serioze: “Aleanca Kuq e Zi” e Spahiut, “Frymën e Re Demokratike”, e Topit iu afruan edhe në këto kushte (pa e finalizuar dot prej sistemit) me marrjen e 1 deputeti nga Aleanca dhe 2 nga FRD-ja, ashtu si vendi i “Librës” së Blushit dhe votat e “Thurrjes” në 2021 e jepnin një mandat!!
A mund të riformatohet sistemi për të sjellë hapësirë për Qorrin, Llapajn, Shabani? Është e pamundur, për ata që e kanë nisur dhe po e shfrytëzojnë pushtetin. Ndërsa lufta e kampeve dhe individëve të dy pjesëve të PD-së është e dukshme për 2025, te PS mbulohet nga pushteti absolut i Ramës dhe kaq u mjafton. Ndërkohë, nëse do kishte vullnet të mirë për uljen e pragut të përfaqësimit, referuar hulumtimeve, nëse korrupsioni si në vendin tonë do ishte shqetësim madhor, plus me lodhjen nga PD dhe PS-ja atëherë me të vërtetë kjo do ishte një nga arsyet pse partitë e reja do mund të ishin të suksesshme, veç të tjerave. Në fakt, realiteti është paradoksal. Ekzistojnë shembuj që korrupsioni mund të përdoret nga disa politikanë në qeveri për ta konsoliduar më tej pushtetin e tyre, siç edhe e ilustron shembulli i Viktor Orbán, sistemi korruptiv i të cilit është shumë të centralizuar, apo si Rama që ua lë “kundravajtësve” (pa marrë përgjegjësi qoftë dhe morale) dhe inkurajon Drejtësinë!! Nëse do të ishin zgjedhje normale dhe një sistem me i drejtë, skandalet e korrupsionit do e nxisnin jo thjesht mosbesimin tek elita e sotme politike por edhe nevojën për ndryshim dhe do hapnin udhë për realitete të reja. Veçse, kjo që po ndodh tek ne, qoftë nga përçarja dhe paradoksi i vulës së PD-së; forca e PS-së që përdor të gjithë makinerinë e shtetit dhe i kthen zgjedhjet gati një mjet të pakuptimtë (lejon vetëm stigmatizimin e politikanëve, që i dorëzohen SPAK-ut më së shumti), s’janë më zgjedhja e duhur. Ndaj, partive të reja u duhet të hedhin muret e ngritura nga PS dhe PD-ja, që të shfaqen përveç luftës ndaj korrupsionit edhe me alternativat e reja dhe të prekshme dhe imazhin ndryshe të Shqipërisë evropiane. Nuk është vonë, anipse duhet sërish ngutje.