Gjykata e Apelit në Tiranë ka caktuar 11 qershorin (ora 10:00) si datën kur do të rinisë sërish gjykimin e vulës dhe statutit të Partisë Demokratike.
Mësohet se realtore është gjyqtarja Alma Ahmeti me pjesëtare të trupës gjykuese Iliba Bezati dhe Elona Toro që do të rishqyrtojnë çështjen e 2021-it.
Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023. Në vendim, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë zbardhi më 18 mars arsyet që prishën vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe, të cilat e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Tre muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”. Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet rigjykuar në Apel nga një trupë tjetër. Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit. Kolegji thekson se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural.
Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuar tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Gjykata e Lartë vlerëson se në rastin kur padia apo kërkesa paraqitet nga një person që i mungon zotësia për të vepruar, Gjykata e Apelit vendos mospranimin e gjykimit të padisë, ose pushimin e gjykimit të padisë.
Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë”, – thuhet në vendim.