Lamtumira mes Adrian Newey dhe Red Bull është zyrtare. Divorci mes projektuesit gjenial anglez dhe skuadrës nga Milton Keynes sanksionohet nga një komunikate e skuadrës që zyrtarizon ndarjen që do të ndodhë në muajt e parë të 2025. Red Bull precizon se Newey do të tërhiqet nga detyrat projektuese të Formula 1 për t’u përqendruar në zhvillimin final dhe të dorëzimit të hyper makinës së parë të Red Bull, RB17. Përfundon kështu një nga bashkëpunimet më të suksesshme dhe jetëgjata të historisë së Formula 1. Nën regjinë teknike të Newey Red Bull ka fituar 7 tituj për pilotë dhe 6 për konstruktorë nga 2006 deri në 2023. Është një ndarje e bujshme që i ka rrënjët në klimën toksike të krijuar në gjirin e Red Bull pas skandalit të shefit të skuadrës Christian Horner i akuzuar për sjellje të papërshtatshme ndaj një vartëseje, që u shoqërua me një hetim të brendshëm që përfundoi në favor të drejtuesit, duke krijuar një krisje të fortë mes sektorëve më përfaqësues të skuadrës.

Lufta mes frontit të përbërë nga Horner, i mbështetur nga aksioneri kryesor, tajlandezi Chalerm Yoodvidhya dhe frontit tjetër që përfaqësohet nga Helmut Marko, i lidhur si me trashëgimtarët e themeluesit Dietrich Mateschitz, por edhe me klanin Verstappen ka krijuar një klimë toksike në skuadër, duke bërë që Newey i neveritur nga atmosfera dhe polemikat të marrë vendimin për të ndryshuar ambient.

E ardhmja e tij mbetet për t’u deshifruar. Inxhinieri anglez nuk e ka preferuar kurrë idenë për të lënë Anglinë e tij të dashur dhe mbetet për t’u parë nëse do të marrë me vete dhe disa nga besnikët e tij, ashtu siç mbetet për t’u parë se sa do të influencojë lamtumira e tij në dëshirën e Max Verstappen për të vazhduar me Red Bull, skuadër me të cilën ka fituar 3 botërorë. Me siguri që skuadrat më të mëdha, me Ferrarin mbi gjithë të tjerat janë në dritare dhe do të kërkojnë të përfitojnë pasi rasti për të angazhuar magjistarin e aerodinamikës së Formula 1 është për të mos u humbur. Te Ferrari ëndërrojnë një “dream team”, skuadër ëndrrash me Newey në drejtimin teknik dhe Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton në timon për të ndërprerë një agjërim suksesesh që zgjat që nga 2007.