Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, organizoi një aktivitet festiv me fëmijë të familjeve në nevojë, komunitetit rom dhe egjiptian, nga shtëpia e fëmijës “Zyber Halluli”, Shtëpia e Foshnjës ”Hana dhe Rozafa” dhe fëmijë pa kujdes prindëror.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë dhe ata meritojnë që çdo ditë t’i ngjajë një feste 1 Qershori.
Sipas saj, 1 Qershori është edhe një ditë reflektimi së pari për të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe mirërritjen e fëmijëve të cilët janë e ardhmja e zhvillimit të shoqërisë tonë.
Koçiu u ndal edhe në nismat e ndërmarra nga MSHMS, me fokus të veçantë përkujdesjen ndaj fëmijëve siç është programi i depistimit të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla. “MSHMS do të jetë gjithmonë partneri juaj në krah për të mbështetur familjet në nevojë për të kapërcyer një moment të caktuar vështirësie që mund ta ketë çdo kush prej nesh, me energji, suport. E kemi mision të mbështesim fëmijët. Fëmijët janë e tashmja dhe duhet të veprojmë sot”. theksoi Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nënvizoi se “ne kemi detyrimin që të mbushim hendekun mes ëndrrës, imagjinatës dhe bërjes realitet. Ky është detyrimi ynë dhe për këtë do punojmë çdo ditë”.