Enkelejd Alibeaj, u shpreh në A2 CNN, se vendimi i tij për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike ishte një sinjal se në politikë është e udhës t’i qëndrosh moralit dhe të mos zvarritesh në politikë për një karrige deputeti.

Ai e quajti tashmë Partinë Demokratike pronë private të Sali Berishës.

“Largimi nga grupi i PD është vijim logjik, moral i qëndrimit që unë kam mbajtur gjatë gjithë kohës. Unë kam qenë gjatë gjithë kohës kundër berishizmit në PD, e kam konsideruar atë si plagën më të rëndë, e kam parë atë si shkakun se përse PD gjithmonë e më tepër ka rënë dhe nuk është më një ofertë për shqiptarët dhe prandaj humb. Situata ka qenë e rënduar në këto 3 vite, ndaj asgjë nuk ka ndryshuar në pozicionin tim.

Doja të jepja edhe sinjalin tjetër se në politikë është e udhës t’i qëndrosh moralit dhe të mos zvarritesh në politikë për një karrige deputeti. Kjo është plaga më e rëndë që ka kapluar atë që quhet Partia Demokratike, një pronë private e Sali Berishës”, u shpreh Alibeaj.

Më tej, Alibeaj befason edhe kur thotë se Lulzim Basha nuk ka qenë ndonjëherë kryetar i PD-së, pasi sipas tij, Sali Berisha ka qenë gjithmonë kryetar i partisë.

“Unë jam nga ata që kur marrë akte politike nuk i bëj tek individët. Këtu ka qenë Partia Demokratike, që unë kam dashur që të mos jetë e njësuar me një emër, as me Berishën dhe as me Bashën. Ai që merrte vendimet dhe përcaktonte vendimmarrjen ishte Sali Berisha”.

Rekurs në Gjykatën e Lartë për vulën?

“Ka dy komponentë rekursi në sfondin ku jemi. Njëri është juridik dhe tjetri politik. Në aspektin juridik, vendimi i gjykatës është i padrejtë, jo në brendinë e vet, unë kam thënë që nuk do ta komentojë, por gjykata i kishte lënë detyrë Gjykatës së Apelit të sqaronte 3 çështje.

Gjykata e Apelit i dha përgjigje vetëm njërës, që unë nuk kisha të drejtë ankimi, duke lënë dy çështje pa sqaruar. Juristi thotë: Po duhet bërë ankim. Flas si politikan: Unë nuk jam që të lëshojë sinjale që një çështje politike të zgjidhet në juridikisht. Ne ndarjen e kemi pasur me Berishizmin”. /a2