Anija kineze pa ekuipazh u ul me sukses në anën e largët të Hënës, një vend i paeksploruar që pothuajse askush nuk përpiqet të shkojë, sipas autoriteteve në Kinë.
Chang’e 6 u ndal në Polin e Jugut-Aitken në orën 06:23 me kohën e Pekinit të dielën në mëngjes, njoftoi Administrata Kombëtare e Hapësirës së Kinës, që e përshkroi këtë moment si historik. Këto janë pamjet e para të sjella nga sonda sapo u ul në satelitin e vetëm natyror të Tokës.
Sonda u nis në 3 maj nga qendra hapësinore Wenchang. Gjatë zbritjes, një sistem autonom vizual i shmangies së pengesave u përdor për të zbuluar automatikisht pengesat duke përdorur një kamerë me dritë të dukshme.
Misioni synon të mbledhë 2 kg gurë dhe tokë të çmuar nga ky rajon për herë të parë në histori. Sonda mund të nxjerrë disa nga shkëmbinjtë më të vjetër të Hënës nga një krater i madh në Polin e saj Jugor.
Kina është i vetmi vend që e ka arritur këtë sukses më parë, duke zbritur Chang’e-4 në 2019.
Për shkencëtarët, kjo është një mundësi e artë për të analizuar shkëmbinj nga një zonë krejtësisht e ndryshme e Hënës, pasi shumica e shkëmbinjve të mbledhur deri më tani janë vullkanikë, të ngjashëm me atë që mund të gjejmë në Islandë ose Hawaii.
Por materiali në anën e largët do të kishte një kimi tjetër dhe mund t’u përgjigjet pyetjeve se si formohen planetët, pse formohen koret apo cila është origjina e ujit në sistemin diellor. Nëse misioni ka sukses, anija do të kthehet në Tokë me mostrat e çmuara në bordin e një kapsule të veçantë kthimi.
Kjo është hera e dytë që Kina nis një mision për të mbledhur mostra nga Hëna.
Në vitin 2020, Chang’e 5 solli 1.7 kg material nga një zonë e quajtur Oceanus Procellarum në anën e afërt të Hënës. Kina po planifikon tre misione të tjera pa ekuipazh këtë dekadë, ndërsa kërkon ujë në Hënë dhe heton ngritjen e një baze të përhershme atje.