Nga Jakin Marena
Një ditë më parë Apeli britanik rrëzoi kërkesën e Sali Berishës për heqjen e ‘non gratës’ të shpallur dy vite më parë. Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit rrëzoi apelimin e kreut të PD, i cili prej vitit 2022 kërkonte revokimin e vendimit për shpalljen e tij ‘non grata’.
Ky është një lajm i mirë, sepse sikurse konfirmoi më pas dhe qeveria britanike përmes Home Office, vendimi për shpalljen ‘non grata’ të ish kryeministrit Sali Berisha është bërë mbi fakte dhe prova të pakontestueshme.
Dhe organet ligjzbatuese britanike kanë më bollok të tilla prova e fakte, madje kanë dhënë goxha dhe për institucionet e drejtësisë shqiptare, për t’i pasur aty kur ta ‘lypë’ nevoja. Anipse mbetet për t’u parë nëse drejtësia shqiptare do të marrë ndonjëherë mundimin që këto prova dhe fakte të t’i ‘prekë’ në dorë, për të kopsitur një dosje për të qenë për Berishën për këto akuza të rënda. Britanikët nga ishulli i tyre e bënë, ‘ishullorët’ e drejtësisë shqiptare vazhdojnë të sygjestionohen me sa duket nga emri i Berishës, sa herë që nëpër të gjitha fletët e hetimeve u del përpara.
Dhe kjo gjykatë në Britani nuk është thjeshtë një ‘Komision’, siç po mundohen ta paraqesin mbështetësit e Berishës këtu në Shqipëri për konsum politik. Komisioni Special i Apelimeve të Emigracionit (SIAC) është një nga gjykatat më të diskutueshme dhe padyshim më të fshehta brenda ligjit anglez. Është vendi i apelimit për shtetasit e huaj që përballen me arrestim, deportim ose përjashtim nga MB për arsye të sigurisë kombëtare. Ajo ka të njëjtat kompetenca si Gjykata e Lartë dhe kryesohet nga gjyqtarë të lartë. Seancat dhe vendimet e Siac nuk bëhen kurrë plotësisht të njohura për publikun ose për vetë apelantët, sepse përfshijnë dëshmi nga anëtarët e shërbimeve të fshehta të sigurisë që qeveria thotë se nuk mund t’i zbulojë.
Por më shumë se sa vendimi që rrëzoi apelimin e Berishës për ‘non gratën’ në Britani, vlerë të madhe për drejtësinë dhe për qytetarët shqiptarë ka argumentimi i këtij vendimi, i përmbledhur në 24 faqe. Apeli britanik ka qënë i qartë teksa ka nënvizuar se arsyet e vendimit për rrëzimin e kërkesës së heqjes së ‘non gratas’, ku evidenton bashkëpunimin me elementët kriminalë dhe mbi të gjitha korrupsionin në qeveri, teksa po afroheshin zgjedhjet e vitit 2013, kur Berisha me 1 milion vota kundër humbi pushtetin këtu e 11 vite më parë.
Drejtësia britanike ka qënë konkrete në akuzat e saj, teksa evidenton me pastër e qartë abuzimin e pushtetit të Berishës në emërimin e zyrtarëve të korruptuar, ndërhyrjen në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për të mbrojtur vartësit nga hetimet dhe procedimet gjyqësore si dhe përgjimin e paligjshëm të kundërshtarëve politikë.
Njëherësh kontrolli i ngushtë politik i Berishës e dominimi i qeverisë së tij, ishte një nga akuzat e forta të Apelit britanik, me të cilat hedh poshtë ‘padijeninë’ e ish kryeministrit për çfarë ndodhte në qeverisjen e tij 8 vjeçare të të gjitha niveleve. Megjithëse këtu në Shqipëri askush nuk beson se guxonte ndokush të bënte një veprim pa dijeninë e Berishës dhe familjarëve të tij që kishin kapur shtetin në atë kohë.
Dhe në këtë arsyetim drejtësia britanike përdor shembujt autentikë të abuzimit me pushtetin nga qeverisja e Berishës, duke përmendur dhe emra. Mes tyre përmendet biznesmeni kontravers serbo-boshnjak Damir Fazlliç por dhe vajza e ish kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, si dhe ‘taksa e suksesit’ që kjo e fundi i vuri biznesmenit pakistanez Ansar, ‘taksë’ që shkonte në 3 milionë euro për një invesim. Pra në 100 milionë euro të investuara vajza e kryeministrit të asaj kohe për ndërhyrjen tek babai për një firmë, merrte një ‘bonus’ prej 3 milionë eurosh dhe puna ishte e kryer. Ndryshe, as që mendohej se Berisha do të firmoste ndonjë gjë, pa paguar tek ‘sporteli’ i Argitës.
Mbi të gjitha evidentimi i faktit se Fazlliç ishte nën hetim nga drejtësia shqiptare, ndërkohë që Berisha dërgoi shoqëruesit e tij duke mos lejuar arrestimin e tij, ndërsa në parlament deklaroi në mënyrë sfiduese se e kishte mik të ngushtë dhe mund ta sillte por të donte dhe në seancën parlamentare, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare e mbante të gjitha herët, tregon se sa thellë ka hyrë hetimi britanik në korrupsionin e Berishës dhe sa prova dhe fakte ka.
Duke përmendur aferën e Porto Romanos, ku u blenë sasira të mëdha toke nga pronarët me çmime shumë të ulta, dhe shitja më pas tetë-fish më shumë tregon qartë korrupsionin e Berishës në favor të vajzës së tij Argita. E cila ka pranuar sipas vendimit të Apelit britanik se ka qënë në dijeni të zhvillimit të asaj zone më pas me vendim qeverie, e cila ishte kufi me Parkun Energjetik, që u zgjerua më pas me këto vendime të Berishës, duke përfshirë dhe tokat e blera nga Fazlliç me ndërmjetësinë e vajzës Argita dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi. Kuptohet që çmimi u rrit tetë herë, dhe po me këtë ndërmjetësi të vajzës së kryeministrit, këto toka u shitën me çmime marramendëse, ku sipas apelit britanik dhe vajza e Berishës përfitoi shuma të mëdha.
Berisha thotë në reagimin e tij pas vendimit të Apelit britanik që i la në kurriz sërish ‘non gratën’ se vajza e tij Argita ka përfituar si e punësuar e Fazlliç vetëm 8 mijë euro, ndërkohë që mohon faktin të ketë pasuruar biznesmenin serbo-boshnjak, të cilin e mbante pas si ‘ogiç’ dhe ishte mik familjar me djalin, vajzën dhe gjithë rrethin e ngushtë të ish kryeministrit.
Ndërsa akuzat e pakistanezit Ansar për ‘taksën e suksesit’ për investimin 100 milionë euro në energji i quan gënjeshtra, megjithëse Ansar ka deklaruar më se njëherë se është i gatshëm të dëshmojë para drejtësisë me prova dhe fakte për të gjitha akuzat që ka bërë në drejtim të vajzës së Berishës. Por dëshmia e tij me sa duket do merret kur të jetë gati drejtësia shqiptare.
Përtej argumenteve të tjera të cilat nuk po i përsërisim pasi janë të shkruara në gjuhën angleze por dhe të përkthyera në shqip, janë lexuar tashmë nga të gjithë, dhe për të cilat ka dijeni me kohë dhe vakt publiku shqiptar, ajo që vlen të theksojmë është se vendimi i Apelit britanik paraprin ngjarjet hetimore që do të vijnë më pas. Ndoshta dhe për Piramidat mashtruese, të cilat janë përmendur në arsyetimin e Apelit për ‘non gratën’ e Berishës. Kanë hetuar që nga ’96 ata.
Deri më tani Berisha po hetohet nga SPAK për aferën e ish klubit sportiv “Partizani’ për të cilin është nën arrest shtëpiak bashkë me dhëndërin Jamarbër Malltezi, për pasurinë, për aferën CEZ-DIA kanë nisur hetimet dhe janë pyetur, për “Gërdecin” po hetohet familja e tij, për ’21 janarin’, ku drejtësia pas vendimit të Strasburgut e ka për detyrë që të hetojë me themel pasi i ka gati të gjitha provat dhe faktet dhe akuza të tjera si këto.
Por vendimi i Apelit britanik që rrëzoi kërkesën e Berishës për heqjen e ‘non gratas’, me atë arsyetim të detajuar ku janë përmendur fakte dhe emra që nuk janë të panjohura për publikun shqiptar, por dhe duke e mbështetur me qëndrimin e Home Office se për të gjitha këto arsyetime ka prova dhe fakte të pakundërshtueshme, tregon qartë se një hetim tjetër i madh po duket në ‘horizont’ për Sali Berishën.
Këtë radhë në dyert e SPAK me sa duket do mbërrijë shumë shpejt dhe afera e Porto Romanos, do të kalojnë në ‘sitë’ të gjitha vendimet e qeverisë Berisha të asaj kohe, do të sillet për ‘veshi’ dhe Damir Fazlliç për t’u vënë nën hetim penal për paratë e fituara nga kjo aferë, për t’u përgjigjur për akuzën e pastrimit të parave përmes bankave të Qipros dhe mbi të gjitha do të hetohen penalisht dhe Argita Berisha Malltezi bashkë me bashkëshortin e saj Jamarbër Malltezi. Që kanë përfituar nga kjo ortakëri, sipas Apelit britanik.
Shpresojmë që drejtësia shqiptare të tregohet në lartësinë e detyrës në justifikim të mbështetjes së shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në justifikim të pagave të larta dhe sigurisë që i kanë krijuar për ta, për të dërguar të gjithë ata që kanë bërë zullume në kurriz të arkës së shtetit para drejtësisë. Të hetohen sëpaku.
Teksa ‘Blloku’ i ri i ‘elitës’ politike, të drejtësisë, policisë dhe gazetarisë në Gjirin e Lalzit është vënë nën shënjestrën e SPAK për t’u hetuar me themel se nga kanë ardhur paratë që janë bërë këto investime në këtë zonë por dhe zona të tjera, edhe krahu tjetër i kësaj zone, hapësirat e pamata të Porto Romanos në të cilat kanë bërë lekë sipas Apelit britanik, pritet që Fazlliç, Argita dhe Jamarbër Malltezi, të jenë nën shënjestrën e hetimit të SPAK.
Aq më tepër që provat dhe faktet për aferën e Porto Romanos janë në dritë të diellit, të servirura të gatshme nga drejtësia britanike vetëm një ditë më parë në atë arsyetim vendimi të detajur dhe të kopsitur mirë, për rrëzimin e kërkesës së Berishës për ‘non gratën’. Të presim.