Shqipëria prezantohet në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur deri në 24 nëntor, me veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga kjo ekspozitë ku prezantohen vepra artistike nga artistë të ndryshëm nga mbarë bota.
“Arti dhe dashuria të pandara në veprat e realizuara mjeshtërisht nga artistja Iva Lulashi, e cila përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e hapur deri në 24 nëntor”, shkroi Gonxhja. Sipas tij, përmes “Love as a Glass of Water”, me kurator Antonio Grullo, Iva na fton të bëhemi pjesë e një udhëtimi emocionues, duke kapur çdo nuancë të dashurisë dhe çdo impuls të fshehur të instinktit, si gjuhë universale, forca primare që lidh njeriun me botën.
“Pavijoni shqiptar ka ngjallur shumë interes tek galeritë e rrethet artistike më në zë, duke marrë shumë vlerësime pozitive! Së bashku të mbështesim Ivën në rrugën e saj drejt një suksesi të shkëlqyer në skenën ndërkombëtare të artit”, tha Gonxhja.
Makrotema e këtij edicioni të Bienales së Venecias, 20 Prill – 24 Nëntor, është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa.
Iva Lulashi e lindur në Shqipëri, është shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia.