Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën në Doha se Hamasi ka kërkuar disa ndryshime në propozimit për armëpushim në Gazë dhe se disa prej tyre mund të merren në konsideratë. Por ai shtoi se “disa nga propozimet e Hamasit shkojnë përtej asaj që grupi kishte pranuar më parë në bisedimet për një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë”.
“Ne jemi të vendosur që të përpiqemi të kapërcejmë hendekun me Hamasin”, tha zoti Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Katarit Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, pas një takimi me të.
Sekretari amerikan i Shtetit theksoi se nëse Hamasi vazhdon të kundërshtojë përpjekjet për kapërcimin e mosmarrëveshjeve, kjo do të tregojë qartë se “ata kanë zgjedhur vazhdimin e luftës në Gazë”. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit po shqyrtojnë që të martën përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit për armëpushim në Gazë.
John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, u tha më herët gazetarëve se Hamasi ia dha përgjigjen e tij Katarit dhe Egjiptit të martën dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se përgjigja ka miratimin e udhëheqësit të lartë të Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar.
Zoti Kirby nuk pranoi të jepte shumë detaje, pasi tha se një gjë e tillë mund të dëmtonte procesin e negociatave.
“Situata është shumë delikate dhe duhet të kemi shumë faktorë parasysh, veçanërisht jetën e pengjeve dhe familjet e tyre. Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm me ato që themi dhe si i themi”, tha ai.
Hamasi dhe grupi tjetër më i vogël militant Xhihadi Islamik, thonë se janë të gatshëm ta shohin “nën dritë pozitive mundësinë e një marrëveshjeje”, duke i dhënë përparësi “përfundimit të plotë” të luftës.
“Hamasi ripohon se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund agresionit zionist ndaj popullit tonë, të parashikojë largimin e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës dhe një angazhim serioz për shkëmbimin e të burgosurve,” tha një zyrtar i Hamasit.
Presidenti amerikan Joe Biden bëri publike detaje të propozimit të armëpushimit. Ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë theksuar vazhdimisht se ai është një propozim izraelit. Sekretari Blinken tha të martën se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ripohoi angazhimin e tij ndaj marrëveshjes. Mes palëve ka pika të mundshme mosmarrëveshjeje, përfshirë kërkesën e Hamasit që Izraeli të tërheqë forcat nga Gaza dhe qëndrimin e Izraelit se synimi i tij është mposhtja e Hamasit.
Në fazën fillestare propozimi parashikon ndalimin e luftimeve, lirimin e disa pengjeve nga Gaza, lirimin e disa të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli, një rritje të ndihmës humanitare për palestinezët, tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e populluara të Gazës dhe kthimin e civilëve palestinezë në shtëpitë e tyre.
Faza e dytë parashikon një ndërprerje të përhershme të luftimeve në këmbim të lirimit të të gjithë pengjeve të tjerë në Gaza dhe një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Gaza.
Faza përfundimtare përfshin një plan rindërtimi shumëvjeçar për Rripin e Gazës, pjesa më e madhe e të cilit është shkatërruar nga tetë muaj bombardime izraelite. Ajo gjithashtu parashikon kthimin e eshtrave të pengjeve të vdekur në Gazë./VOA