Tre skuadrat shqiptare, kampione të Shqipërisë, Kosovë dhe Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Egnatia, Ballkani dhe Struga kanë njohur kundërshtarët me të cilët do të përballen në turin e parë para-eliminator të Ligës së Kampionëve. Kështu skuadra nga Rrogozhina do të gjejë përballë Borac Banja Luka, me sfidën e parë që do të luhet në transfertë dhe të kthimit në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Ballkani i Ilir Dajës do të duhet të eliminojë modestët e Santa Colomës nga Andorra për të vijuar në turin e dytë eliminator, teksa sfida e parë do të luhet në Prishtinë. Short i komplikuar për Strugën, që do të gjejë përballë sllovakët e Slovan Bratislavës, me sfidën e parë që do të luhet në transfertë dhe të kthimit në Maqedoninë e veriut. Skuadra tjetër shqiptare, kampionia e Malit të Zi, Deçiç Tuzi, gjeti përballë uellsianët e The New Saints. Ndeshjet e para të turit të parë eliminator do të zhvillohen më 9 dhe 10 korrik, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë, më 16 dhe 17 korrik.