Ish-çifti mbretëror, Princ Leka dhe Elia Zaharia janë zyrtarisht të divorcuar që prej 25 prillit me vendim gjykate.
Ndërkohë, janë mbyllur hetimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka dërguar për gjykim Princ Lekën, ish-bashkëshorten e tij Elia Zaharian dhe babain e saj, Gjergj Zaharia për akuzën e dhunës në familje.
Konfliktet e vazhdueshme, mungesa e komunikimit dhe ndërprerja e bashkëjetesës u cilësuan si arsye që janë pranuar nga të dyja palët, si shkak i divorcit të çiftit.
Pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale ku çifti shfaqej në momente të tensionuara dhe ku nuk munguan përplasjet verbale, por edhe fizike, nisën edhe hetimet e prokurorisë.
Pas ndarjes Leka Zogu dhe Elia kanë rënë dakord që të kalojë kohë të barabartë me të bijën, Geraldinën.
Vajza do të kalojë çdo javë një kohë të pandërprerë, (të qëndrojë në rezidencën e babait) jo më pak se 48 orë, (dy ditë të plota), ditën e premte dhe të shtunë, duke përfshirë shoqërimin nga babai dhe veprimtari të tjera sociale, kulturore dhe arsimore ku mund të angazhohet fëmija gjatë periudhës së qëndrimit tek babai.
Ditët e qëndrimit mund të ndryshohen ose të zgjaten me kërkesë të babait, duke marrë në konsideratë edhe pjesëmarrjen në veprimtari social kulturore të lidhura me statusin shoqëror të familjes së babait.