Teksa Dritan Dajti është në pritje të vendimit përfundimtar nëse do dënohet nga Gjykata e Lartë me 25 vite burgim apo me burg të përjetshëm, “Ora News” ka mësuar se brenda një jave ai nga burgu i Peqinit, ka çuar një breshëri kërkesash drejt sekretarisë së Gjykatës, duke kërkuar përjashtimin e dy gjyqtarëve të kolegjit Penal, Sandër Simoni dhe Medi Bici.
Kërkesa e Dajtit për përjashtimin e gjyqtarit Medi Bici, është pranuar në 31 Maj 2024 nga anëtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Arbena Ahmeti, duke sjellë largimin e Bicit nga gjykimi i kësaj dosje penale.
Në vendimin e gjykatës të zbardhur nga Arbena Ahmeti, thuhet se:
“…më herët në datën në datën 2 Prill 2024 Medi Bici, ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi kërkesën për heqjen dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje.
Mirëpo kryetari i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 17 Prill 2024, pas shqyrtimit të kërkesës ka vendosur: “Refuzimin e kërkesës së anëtarit të Gjykatës së Lartë, Medi Bici për heqjen dorë nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë, kundër Dritan Dajtit…”.
Teksa Subashi, nuk ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Medi Bicit, Dritan Dajti nga ana tjetër ka depozituar kërkesë për përjashtimin e tij nga gjykimi i dosjes.
Prej 31 Majit, kërkesa e Dajtit është pranuar dhe Medi Bici nuk është pjesë e kësaj treshes gjykuese. Zëvendësimi i tij është bërë me një gjyqtar tjetër siç është Artur Kalaja.
Të njëjtën gjë si Medi Bici, ka bërë më parë dhe relatori i çështjes së Dritan Dajtit, gjyqtari Sandër Simoni, i cili në datën 20 shkurt 2024, ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë një kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, pasi ka vlerësuar se është në kushtet e nenit 17, shkronja “c” dhe “ë” të Kodit të Procedurës Penale.
Kërkesa e Simonit për të mos gjykuar dosjen “Dajti”, në datën 26 shkurt 2024 është refuzuar nga kryegjyqtari Sokol Sadushi.
Nisur nga kjo situatë Dritan Dajti, përmes dy kërkesave në 29 Maj dhe 30 Maj 2024, i është drejtuar Gjykatës së Lartë, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni nga trupa gjykuese me argumentin se është i njëanshë dhe se kur ka drejtuar Gjykatën e Krimeve të Rënda, ka dhënë opinione dhe qëndrime të mëparshme mbi çështjen objekt gjykimi.
Gjyqtari Gentian Medja, pasi shqyrtoi në tërësi çështjen e dy kërkesave të bëra nga Dritan Dajti, arriti në konkluzionin se kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni është e pambështetur në ligj dhe në prova dhe si e tillë ajo duhet rrëzuar.
Aktualisht, rekursi i vitit 2019 i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është duke u gjykuar në Dhomë Këshillimi me trupë gjykuese Sandër Simoni, Ilir Panda dhe një gjyqtar tjetër.
Krimet e Rënda, kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit për akuzën e Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Ilir Duëkollarit.
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.
Çështja penale kundër Dritan Dajtit është shpallur në 11 prill 2024 për t’u shqyrtuar në dhomë këshillimi në datë 4 qershor 2024, prej Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Por sot gjykata e Lartë nuk ka mundur të dalë me vendim, për shkak të zëvendësimit të Medi Bicit me gjyqtarin tjetër Artur Kalaja.
Seanca e rradhës kur pritet ti komunikohet palëve trupi gjykues është planifikuar në 11 qershor 2024 në orën 09:00.