Një dyshim për një sulm kibernetik, ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, për të parandaluar goditjen e të dhënave në sistemet policore.
Mësohet se ka qenë drejtoria e “njësisë C”, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e të dhënave kompjuterike, e cila ka kërkuar që të fiken pajisjet elektronike, ku ruhen të dhëna sensitive të qytetarëve dhe sistemet policore.
Urdhri është dhënë rreth orës 10 të mëngjesit të sotëm, ndërsa mësohet se fikja e kompjuterave është bërë vetëm për disa minuta.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Shtetit, nuk mohon praninë e një sulmi ndaj sistemeve policore, megjithatë sqaron se në mënyrë të vazhdueshme merren masa për forcimin e sigurisë të sistemeve online.
Pas ndërprerjes për disa minuta, mësohet se sistemet në përdorim nga Policia e Shtetit vazhdojnë funksionimin e tyre normalisht.
Kjo nuk është hera e parë që sistemet policore bien pre e sulmeve kibernetike. Rreth 3 vite më parë, grupi i hakerave Iranian “Home Land Justice”, arriti të merrte dhe të publikonte nga sistemet policore të dhëna sensitive, siç janë personat e shpallur në kërkim, apo emailet e brenshme të policisë.