Duke thirrur zgjedhje të parakohshme që mund të sjellin në pushtet të djathtën ekstreme, presidenti francez Emmanuel Macron ka vënë një bast shumë të rrezikshëm. Nëse Franca ose Gjermania do të hiqnin dorë ndonjëherë nga angazhimi i tyre ndaj projektit evropian, kjo do të nënkuptonte fundin e lojës për Bashkimin Evropian.
Nga Joschka Fischer
Megjithëse të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë formalisht të barabartë, realiteti është se ka dallime të mëdha mes tyre. Dy vendet më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomikisht, Gjermania dhe Franca, janë gjithashtu dy nga anëtarët themelues të BE-së. Ndikimi i tyre joproporcional politik brenda bllokut nuk mund të mohohet. Përpara se të dy vendet të bashkoheshin në vitet 1950, si pjesë e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, armiqësia e tyre e gjatë e kishte copëtuar Evropën përmes luftërave të panumërta. Me humbjen dhe ndarjen totale të Gjermanisë në vitin 1945, Gjermania Perëndimore – nën mbrojtjen e SHBA-së – dhe Franca patën një shans për t’u pajtuar dhe për të hedhur themelet për një paqe të qëndrueshme.
Traktati i Romës i vitit 1957 jo vetëm që ndihmoi për të përshpejtuar rindërtimin e Evropës Perëndimore të shkatërruar nga lufta; ai vendosi gjithashtu një rend të ri politik evropian (perëndimor). Duke integruar përgjithmonë Gjermaninë Perëndimore dhe Francën, ai më në fund eliminoi burimin tradicional të luftërave të mëdha evropiane. Nuk është ekzagjerim të thuhet se pajtimi i këtyre dy armiqve tradicionalë pas Luftës së Dytë Botërore është arsyeja pse BE-ja ekziston sot. Por nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Në vitin 1954, një përpjekje e hershme për të krijuar një Komunitet Evropian të Mbrojtjes u prish kur Asambleja Kombëtare Franceze e hodhi poshtë idenë. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 2005, francezët (së bashku me holandezët) rrëzuan një përpjekje për të krijuar një Kushtetutë për Evropën.
Tani, e djathta ekstreme franceze, pasi doli e para në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të këtij viti, bëri që presidenti francez Emmanuel Macron të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme. Edhe një herë, e ardhmja e BE-së varet nga pyetja: Çfarë duan francezët? Kjo pyetje është rikthyer në një moment veçanërisht të pafavorshëm: pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin ka rikthyer luftën në Evropë dhe ish-presidenti i SHBA-së Donald Trump aktualisht duket i pozicionuar mirë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë janarin e ardhshëm. Nëse Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen fiton zgjedhjet franceze dhe Trump fiton në nëntor, çfarë do të bëhet me Evropën? A do të ishte në gjendje projekti evropian t’i mbijetonte një grumbullimi të tillë forcash?
Franca, në fund të fundit, është e domosdoshme për këtë projekt. Nëse ajo ose Gjermania do të shkëputeshin ndonjëherë prej saj, shfaqja do të merrte fund. Sigurisht, BE-ja ka 25 shtete të tjera anëtare dhe të gjitha janë të rëndësishme – disa më shumë e disa më pak. Por Evropa mund të jetojë me një qeveri italiane të udhëhequr nga një parti me rrënjë neofashiste. Nëse e djathta ekstreme franceze siguron një shumicë në zgjedhjet e kësaj vere dhe Le Pen vazhdon të fitojë zgjedhjet presidenciale në 2027, kjo do të ishte një çështje krejtësisht tjetër. Ngritja e një qeverie dhe kreu ekzekutiv neo-nacionalist në Francë do të kërcënonte vetë strukturën e Unionit. Armiqtë e tjerë të brendshëm të Evropës, si kryeministri hungarez Viktor Orbán, do të ndiheshin edhe më të guximshëm për të penguar rrugën e politikëbërjes së BE-së. Më keq, kjo do të ndodhte pikërisht kur BE-ja duhet të forcohet përballë një riorganizimi më të gjerë gjeopolitik dhe teknologjik.
Ndërsa Franca ka qenë gjithmonë e ndjeshme ndaj narrativave nacionaliste, Gjermania – për shkak të historisë së saj – ka qenë prej kohësh e imunizuar kundër iluzioneve të tilla. Por një fitore për Tubimin Kombëtar do t’i detyronte gjermanët të përballeshin me një pyetje politike që mendonim se e kishim lënë pas: A i përkasim Perëndimit, apo jemi vërtet pjesë e Lindjes, në fund të fundit? Partitë populiste pro-ruse si Alternativa për Gjermaninë dhe Bündnis Sahra Ëagenknecht po e shtrojnë hapur këtë pyetje. Për fat të keq, ato kanë fituar terren, të paktën në Gjermaninë Lindore.
Një aleancë midis Trump dhe Le Pen, me Putinin në prapavijë, do të shtonte në mënyrë dramatike kaosin që tashmë e pret Evropën. Fituesit e mëdhenj do të ishin Putini dhe mbrojtësi i tij gjeopolitik, presidenti kinez Xi Jinping. Putini do të bënte një hap vendimtar drejt arritjes së objektivit të tij strategjik: të rivendoste statusin e Rusisë si një fuqi globale dhe më pas ta përdorte atë në mënyrë hegjemonike mbi Evropën. Për Evropën, ky do të ishte një kolaps në provincializëm – një akt i pastër vetë-shkatërrimi. Duke pasur parasysh mjedisin e ngarkuar politik global, Macron ka vënë një bast veçanërisht të rrezikshëm duke thirrur zgjedhje të parakohshme. Kjo është një lëvizje që mund të vendosë fare mirë të ardhmen e Evropës. Nëse dështon, kjo mund të nënkuptojë “Rien ne va plus!” (s’ka më baste) për Evropën.
Europe’s Future Now Lies with France