Mes 24 trajnerëve që do të drejtojnë ekipet e tyre në “Euro 2024”, Silvinjo është i vetmi jo-europian, më konkretisht brazilian, ndonëse posedon edhe pasaportën spanjolle, ndërsa pak kohë më parë u pajis edhe me atë shqiptare. Në listën e teknikëve që janë kualifikuar në eventin e Gjermanisë, ai bën pjesë në pesëshen që kanë arritur ta fitojnë të paktën një herë trofeun prestigjioz të Ligës së Kampioneve si lojtarë, së bashku me francezët Deshamp dhe Sanjol (trajner i Gjeorgjisë), holandezin Ronald Kuman dhe serbin Stojkoviç. Më saktë trajneri kuqezi ka arritur që ta ngrejë dy herë Champions-in si lojtarë në fushë me Barcelonën e yjeve të Ronaldinjos dhe Mesit. Pas një faze kualifikuese ëndrrash, tashmë Silvio Mendesh Kampos Xhunior, shkurt Silvinjo, të shtunën në mbrëmje do ta ketë ndeshjen më të rëndësishme në stolin e Shqipërisë. Ai do ta nisë aventurën në Kampionatin Europian, duke sfiduar Italinë në Dortmund, në takimin e parë në Grupin B. Mediat italiane i kanë kushtuar interes të veçantë brazilianit, i cili mund të fusë në telashe përfaqësuesen “axurre”.
PASUES I EDI REJËS Në janar të 2023-shit, Silvinjo firmosi me Federatën Shqiptare të Futbollit kontratën 18-mujore, e cila i skadon pas Europianit. Një kontratë prej 750 mijë eurosh në vit, teksa firma e Silvinjos i dha fund pikërisht ciklit të trajnerëve italianë në pankinën kuqezi, duke marrë vendin e Edi Rejës, ndërsa më parë Shqipëria ishte drejtuar nga Kristian Panuçi dhe Xhani De Biazi. Silvinjo tashmë ka si qëllim të konfirmojë edhe drejtpërdrejt në fushë kundër Spaletit, rolin si “eliminues” i italianëve. Një tjetër rastësi befasuese, së cilës u frikësohen italianët dhe për ndeshjen e së shtunës në “Signal Iduna Park”, është renditja e FIFA-s, me Shqipërinë që pozicionohet në vendin e 66- të, praktikisht të njëjtë me Maqedoninë e Veriut (67), që i bënte gjëmën, duke i lënë jashtë Kampionatit Botëror. Po ashtu, Maqedonia e Veriut ka një përqindje të lartë të etnisë shqiptare në ekipin e saj kombëtar. Në kualifikueset e Botërorit “Axurrët” i ndëshkonte një ish-lojtar i Palermos si Trajkovski, ndërsa listën aktuale të Shqipërisë janë plot 10 lojtarë që luajnë në kampionatin italian (Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Asllani, Bajrami, Ramadani, Manaj dhe Strakosha).
NË PANKINË SI MANÇINI Në atë mbrëmje “të mallkuar” pranvere të vitit 2022 kur italianët mbeteshin jashtë botërorit, në stol ishte Roberto Mançini, i cili jo vetëm që ka qenë trajner i Silvinjos te Mançester Siti, por gjithashtu e ka kërkuar në krah si asistent (2014-2016) tek Interi. Pikërisht gjatë aventurës në Itali, Silvinjo mori edhe licencat UEFA A dhe Pro të trajnimit. Trajneri Kuqezi flet me superlativa për kolegun e tij që drejton Arabinë Saudite: “Kam mësuar shumë prej tij, Mançini është një trajnerët më të mirë në qarkullim. Ai kërkon gjithmonë që skuadrat e tij të luajnë futboll dhe të kontrollojnë topin. Punon fort për t’ua ngulitur këtë mentalitet lojtarëve. Kjo filozofi për të mbajtur topin, për të ndërtuar që nga mbrojtja dhe për ta komanduar ndeshjen më pëlqen edhe mua. Roberto e adhuron futbollin dhe kërkon që të fitojë me lojë të bukur. Jemi në kontakt me njëri-tjetrin, dëgjohemi rregullisht. Ka qenë i pari bashkë me ish-trajnerin brazilian Tite, të cilët me kanë dërguar mesazh urimi në momentin kur kam firmosur për Shqipërinë”, deklaron Silivnjo, teksa flet për teknikun italian.
NGA VENGER TE GUARDIOLA Silvinjo gjatë karrierës së tij, përveç Mançinit, është stërvitur gjithashtu edhe nga trajnerë të tjerë të famshëm si Arsen Venger, Frenk Rajard dhe Pep Guardiola. Braziliani vizaton një identikit të trajnerit ideal, duke u bazuar në cilësitë më të mira nga secili prej tyre: “Duhet të jetë një prind si Rajkard, të ketë kujdesin maniak në përgatitjen e ndeshjeve si Guardiola, i cili kalon orë për të studiuar kundërshtarët dhe për të gjetur kundërmasat. Të ketë inteligjencën e menaxhimit të Vengerit dhe intensitetin dinamik të Mançint. Roberto ndonjëherë tërbohet kur shikon që diçka nuk përmirësohet. Di të jetë i ashpër dhe e nuhat në ajër kur diçka nuk shkon. Gjithashtu njeh artin e improvizimit, i cili është thelbësor në disa ndeshje”.
ZABALETA DHE DORIVA Nga grumbullimi në “SportCentrum Kaiserau” në Kamen, rreth 20 km në verilindje të Dortmundit, trajneri i Shqipërisë flet duke i thurur elozhe stafit të tij, efektivisht në nivel absolut. Zëvendësit janë të dy ndërkombëtarë me CV shumë të pasur në botën e futbollit. Argjentinasi Pablo Zabaleta (39 vjeç), kampion bote për U-20 në vitin 2005, medalist i artë në Olimpiadën Pekin 2008, nënkampion në Botërorin 2014 në Brazil, ish-lojtar i Espanjolit, Mançester Sitit dhe Uest Hamit. Braziliani Doriva (52 vjeç), ish i Atletiko Mineiros, Portos, Sampdorias, Selta Vigos dhe Midëllsbrout. Një diferencë shumë e madhe në këtë aspekt me asistentët e Spaletit, Marko Domenikinin, Daniele Baldinin dhe Salvatore Ruson. “Jemi një ‘skuadër’ multi-kulturore dhe poliglote. ‘Zaba’ ka milituar për 10 vite në Premier Ligë, Doriva ka luajtur në Itali dhe Portugali, ndërsa edhe unë kam luajtur për pak kohë në Angli, shumë vite në Spanjë, por kam punuar edhe në Milano me Mançinin. Kështu që jemi një skuadër multikulturore”, shprehet Silvinjo për stafin e tij, teksa të tre janë amerikano-jugorë, por gjithashtu edhe shumë europianë. Në vitin 2001 Silvinjo mund të ishte pjesë e Serisë A si lojtar, pasi ishte pranë Breshias së Karlo Macones dhe Roberto Baxhos, por në fund zgjodhi Selta Vigon.