Euro 2024 e nisi këtë të shtunë me Grupin F, aty ku Gjeorgjia dhe Çekia barazuan 1-1. Çekët dolën me kokën ulur nga ky duel, teksa për Gjeorgjinë është një ditë historike duke marrë pikën e parë në një event ku ishin debutues.
Pas humbjes 3-1 me Turqinë në ndeshjen e parë, skuadra e Gjeorgjisë gjeti forcën dhe ia doli t’u merrte një pikë çekëve. Dueli nisi më mirë për Çekinë, teksa shënoi me Hlozek në minutën e 23, por gjithçka u anulua nga VAR për prekje të topit me dorë.
Në limitet e pjesës së parë Gjeorgjia siguroi avantazhin me Mikautadze, sulmuesin që shënon golin e dytë në këtë turne, pas atij me Turqinë. Ai nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë duke shokuar kundërshtarët.
Paçka pësimit të golit, Çekia u fut në pjesën e dytë me më shumë besim dhe në minutën e 59-të barazoi me Schick. Edhe pse me mundësi më shumë, fundi i lojës mund të sillte tri pikët për Gjeorgjinë, me Lobjanidze që humbi një rast flagrant.
Po për këtë grup në orën 18:00 luhet Turqi – Portugali. Të dyja skuadrat kanë nga tri pikë dhe janë në krye, teksa Çekia dhe Gjeorgjia janë në kuotën e një pike.