Nga Enxhi Hoxha
Pretendohej se arena e blertë e Europës, prej kahmoti kishte jetuar e vështruar gjithçka, por debutimi masiv i bashkëkombsave në rrugët e qyteteve gjermane, tingujt e tupanave të atdhetarizmit që ushtuan në çdo fragment toke, brohorimat e shqiptarëve si e vetmja kolonë zanore e Europianit, stadiumet që kurrë s’kishin dëgjuar tifozeri më të zjarrtë, traditat kuqezi që servireshin nga shqiptarët e ardhur prej anembanë globit, ishin padyshim portreti më i bukur n’mes të Europës! Ky testament i shqiptarëve për botën, pa kast kodoi një mesazh, bashkimi ynë gjeneron një forcë të pandalshme, që kurdoherë mund të jetë edhe “tmerri” juaj. Në tri ndeshje, sytë e Shqiptarisë në topin e shpresës, bekuar me lutjen e miliona zemrave, që për 90 minuta rresht pulsonin njëherësh. Gjermania, vendi lider i Europës, u shndërrua në kanal transmetimi për identitetin historik të Shqiptarisë, mikpritësja e shumë skuadrave, por në këtë Europian, u vesh dhe foli kuq e zi! Shqiponja fluturoi lart e larg, në qielllin e pafundëm të krenarisë Kombëtare!
Mbrëmjen e djeshme, Shqipëria u skualifikua nga Euro 2024, ky protagonizëm ishte i bukur për aq sa zgjati! Jeta është lakore me devijanca që përcaktohen nga fati, koha, momenti, mundësitë, privilegjet e favorizuara a penalizuara, cilësia e konkurentëve të së njëjtës fushë, investimi, motivimi, përkushtimi e pasioni. I ngjashëm me fatin dredharak historik, Shqipëria në këtë Europian ishte pjesë e grupit të “Ferrit”. Prej rënies së shortit, shanset ishin të pakta, por kurrë shpirti i shpresës.
Një ekip i vogël si i yni, u përball me fituesit e botës, kampionët e Europës, elitën e futbollit ndërkombëtar, më të mirët e fushës së blertë dhe demonstrimi kuqezi ishte thjesht fantastik. Gjithçka ndodhi me skuadrën tonë në këtë kompeticion, është provë se sado më i spikatur të jetë oponenti, investimi përmbys çdo ekuilibër. Shqipëria dëshmoi sesi një “i vogël” mund të jetë tejet prestigjoz dhe jo lehtësisht i kapërcyeshëm për një “të madh”. Edhe humbja di të jetë dinjitoze! Fanellat e kuqezinjve, zhvilluan lojë të bukur, me mjaft raste për të shënuar në rrjet, ku hera-herës nëse synimi për të vetshënuar do të mposhtej nga pasimi te shoku i skuadrës, sonte tabela e pikëve mund të rezultonte ndryshe. Të kuptuarit se goli është më i rëndësishëm se autori, interesi i përbashkët mbi atë vetjak, është një kulturë që duhet të kultivohet jo vetëm në futboll. Gjithsesi, në atë çast presioni e emocioni, ndoshta jo të gjitha kalkulimet arrihen në fraksion sekondi. Një moment delikat në historikun e Kombëtares sonë, ishte veprimi i Hysajt në ndeshjen me Italinë. Një lëvizje instiktive, e bëri mbrojtësin tonë një tabelë qitjeje e objekt memesh në nivele hakërrimi totalisht të panevojshme.
Ky vend, ka çështje shumë më të mëdha sesa një gol i pashënuar, autorët e të cilave nuk janë shigjetuar kurrë, e aq më tepër në trajta të së pakursyeshmes. Ndaj, ndonjëherë do duhet të dimë të ndalemi, të vetpërmbahemi, e të kritikojmë aq sa kuptojmë, por kurrë pa teklif. Çfarëdo penaliteti t’i ketë shënuar Hysaj Shqipërisë, as që krahasohet me njerëzit që e kanë zhvatur, zhbërë e shpërfytyruar këtë vend për vite rradhazi. Me gjithçka ndodhi, bota i dëgjoi tupanat tonë, Shqipëria dëshmoi se ky ekip ka vendosur një tjetër standard, si shpresë se e nesërmja do të zgjohet ndryshe…
Bekimi i Zotit për këtë vend është i madh, prej se vullneti i Tij na bëri popullin më të lashtë të Europës, prej se jemi autoktonët e Ballkanit, prej se e pikturoi Shqipërinë me det e male, liqene e lumenj, kodra e fusha, prej se i bëri shqiptarët njerëz të besës, prej se i dhuroi Shqipërisë pasuri kombëtare, prej se e veshi zemrën e shqiptarëve me atdhedashuri! Emocion i madh të dëgjoje çdo brohorimë shqiptare në stadiumet dhe rrugët e Gjermanisë, por specifikisht thirrjet “Shqipëri Etnike” e çonin zemrën gjithnjë peshë… . E ne kemi vetëm një detyrë, të realizojmë projektin e “Shqipërisë Etnike”, ëndrrës më të bukur në botë! Zoti e bekoftë Shqipërinë e çdo shqiptar anembanë botës, gjithnjë…