Nga inspektimi i punimeve për shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi”, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka nisur një super aksion për pastrimin e mbetjeve në qytet, për shkak të dyfishimit të mbeturinave nga fluksi i madh i turistëve që po vizitojnë kryeqytetin.
“Është dyfishuar numri i mbeturinave në qytet dhe kjo është më se normale sepse ka shumë turistë që konsumojnë, qoftë në koshat e lagjeve, qoftë edhe në koshat e rrugëve. Ne turizmin patjetër që e duam, kështu që do të dyfishojmë shërbimin dhe do të shtojmë shumë njerëz dhe mjete në terren, por nga ana tjetër do të shtojmë edhe masat, sidomos për supermarketet. Nuk i kushton asgjë supermarketeve që t’i paketojnë kutitë. Një kuti e cila është 100 kg ose 150 kg, si volum zë praktikisht gjysmën e një kazani dhe i detyron mbetjet e tjera që të derdhen jashtë. Derdhja e mbetjeve jashtë shton kafshët e rrugëve, insektet, zvarranikët, brejtësit dhe dëmton gjithë higjenën në qytet”, tha Veliaj.
Ai paralajmëroi masa për të gjitha supermarketet dhe fasoneritë që i hedhin mbetjet në koshat për mbeturinat familjare. “Kemi ngritur një task-forcë bashkë me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe inspektorët e higjenës në terren, dhe do të jemi vërtet të rreptë, sidomos me supermarketet, me ata që hedhin mbeturinat e lëndës së parë nëpër fasoneri, me ato që kanë restorante dhe ushqimin organik i hedhin te kazani i lagjes. Na duhet bashkëjetesë dhe aty ku bashkëjetesa nuk bëhet me hir, do të bëhet me pahir dhe me organet ligjzbatuese”, shtoi Veliaj.