Gjykata e Apelit të Posaçëm la të pandryshuar dënimin për Fredi Belerin. Kryetari i zgjedhur i Himarës do të qëndrojë në qeli deri në vjeshtë, pasi Apeli e dënoi me dy vite burg. Analisti Frrok Çupi, duke komentuar këtë vendim, tha se Greqia është tërhequr shumë në lidhje me këtë çështje. I ftuar në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, analisti theksoi se Fredi Beleri nuk është më një problem i Shqipërisë pasi drejtësia ‘foli’ por mbetet i Greqisë, që e ka zgjedhur për eurodeputet. Sipas tij, vendi ynë ka detyrim vetëm ndaj boshllëkut në Himarë, që pritet të zgjidhet me zgjedhje të reja.
“Ka një tërheqje të madhe të vetë grekëve në këtë çështje. Mund të thuash se ata vetë janë zënë në çarkun e tyre se e kanë nisur këtë, aq më shumë se ndodhen para dy kushteve për t’u tërhequr. I pari është se politika greke ndodhet e zënë në konfliktet me fqinjët, me Maqedoninë e Veriut dhe në konfliktit permanent me Turqinë dhe një konflikt tjetër nuk mund të gjenerojë aq shumnë në Shqipëri. E dyta është se Beleri po bëhet gati për deputet të PE dhe gjithë politika para zgjedhjeve që votojnë për PE ishte me e zjarrtë se tani.
Pritshmëritë ishin të tjera, e djathta luftonte më shumë fuqi duke menduar se do të shkonte në ekstremin dhe në këtë lojë ra edhe politika greke. Por tani kanë ndryshuar gjërat në vetë Evropën, po lufton dhe bën thirje sikundër ekstremit të djathtë dhe të majtë. Kështu që është e detyruar Greqia që të bëjë tërheqje, Megjithatë deklarata e ambsadores së Greqisë nuk flet shumë, vazhdon të thotë të njëjtën gjë me historinë e vjetër, prezumimi i pafajësisë por nuk dëshmon se ku është shkelur në rastin konkret dhe e dyta gjatë gjithë kohës i shkojnë në periferi ligjit, në një pasaktësi të vërtetë. Që ligji duhet ta detyrojë patjetër Belerin që të shkojë të betohet në Strasburg. Kjo është çështje që merr shumë diskutime, merr diskutime dhe për arsye se vetë PE, për rregullat dhe normat që ka për të”, tha analisti.
“Fredi Beleri nuk është më çështje e Shqipërisë. Edhe për sa kohë që ishte, ishte e drejtësisë, e cila e nxorri nga duart e saj. Fakti që sot është i zgjedhur në PE si deputet i Greqisë, do të thotë se është problem i Greqisë. Shqipëria ka detyrimet ndaj boshllëkut që ka mbetur në Himarë dhe sot është hapur rruga për zgjedhje të reja. Së shpejti me siguri do të caktohet edhe dita e zgjedhjeve dhe kjo s’ka më lidhje me atë histori që mbaroi”, u shpreh më tej analisti.