Ukraina e mori nga G7-tat dritën jeshile të ndihmës financiare: Grupi i 7 vendeve më të industrializuara të botës u pajtua që të përdoren asetet e ngrira ruse për të mbledhur 50 miliardë dollarë, të cilat ta ndihmojnë Kievin të përballojë pushtimin e Moskës.
Shtatë vendet perëndimore të këtij formacioni ishin konsultuar prej gati një viti se si të përdoren si ndihmë për financimin e Ukrainës të ardhurat nga jashtë të pasurive shtetërore ruse që janë ngrirë në valën e sanksioneve. Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky nënshkroi në kuadër të samitit të G7 dy marrëveshje bilaterale sigurie një me Japoninë dhe një me SHBA-në. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, me këtë marrëveshje do ta përjetësojë dhe ta bëjë më të planifikueshme ndihmën për Ukrainën. Zelensky foli për një ditë historike.
“Ne firmosëm këtu marrëveshjen më të fuqishme që prej pavarësisë sonë. Kjo është një marrëveshje për sigurinë dhe për mbrojtjen e jetëve njerëzore. Është një marrëveshje bashkëpunimi që e bën kombin tonë më të fuqishëm”, tha Zelensky.
Përfaqësuesi i Këshillit të BE-së, Charles Michel, pohoi arritjen e ujdisë politike, ndërsa detajet teknike, tha ai, do të sqarohen më tej. 50 miliardë dollarë si kredi duhet të marrë Ukraina deri në fund të vitit, për të financuar blerjen e armëve dhe buxhetin e shtetit. Të ardhurat nga rreth 230 miliardë euro pasuri ruse, që ndodhen tek një administrues pasurish në Belgjikë, gjenerojnë çdo vit pesë miliardë euro.
Këto para duhet të përdoren si garanci, për të financuar interesat si dhe shlyerjen e kredive. Një ditë ndërkohë pasi G7 i dha OK-in huasë masive për Kievin, Ukraina dhe Rusia shkëmbyen sulme me dronë. Forcat e Armatosura të Ukrainës (FAU) thanë se kundërajrorët e tyre i rrëzuan të gjithë 17 dronët e llojit Shahed, me të cilët Rusia i sulmoi shtatë rajone ukrainase.