Nga Ilir Metaj/

Jam i sigurt që ti, unë, shumica e shqiptarëve në çdo kënd të botës, ndien trupin t’ia përshkojnë mornicat e sytë të përloten, çdo herë që një stadium ushton nga himni ynë kombëtar, ndërsa kamera fikson fytyrat e tendosura dhe sytë –zjarr të futbollistëve tanë, që, me krahët lidhur me njëri-tjetrin, këndojnë bashkë me mijërat e tifozëve në shkallët e stadiumit.

Gjithmonë në këto minuta solemne, (dhe janë gjithmonë po njësoj solemne), duket sikur të dy koret, ai në fushë dhe ai në shkallët e stadiumit, i kumtojnë një përbetim njëri-tjetrit. Dhe fjalët e himnit s’janë veçse kodet që përçojnë këtë përbetim. Kjo ndodh gjithmonë përpara se ndeshja të fillojë.

Ndeshja! E theksoj! Sepse, jo më kot, në gjithë botën nuk quhet “lojë”, por “ndeshje”. Nuk është lapsus dhe as këto dy fjalë mund të përafrohen me sinonime. Përkundrazi, nuk kanë asnjë lidhje. Fjala “ndeshje” është konvencion i përmbajtjes. Kështu ka qenë që në fillim, kur futbolli mori përmasat e një përballjeje midis kombesh, qytetesh, grupimesh. Sepse futbolli lindi bashkë me emocionin e fortë, i cili është nevojë për shoqëritë, cilido kriter i ka grupuar palët.

Ama, himni kombëtar këndohet vetëm kur përballen kombet, sepse aty kriteri i grupimit është mbi të gjitha etnia, kombi.

Himni kombëtar është në thelb një film i përshpejtuar i vetë jetës së një kombi.

Ndaj, kur ai këndohet, në mendjen e çdonjërit që e këndon dynden në një sekuencë gjithë ankthet, lotët, sakrificat, krenaria, mësimet e pësimet e popullit të vet. E ndaj, mbi çdonjërin nga djemtë krahë-për-krahë, pesha e ndeshjes që po vjen bëhet edhe më e madhe, edhe më e rëndë. Ndaj emocioni në të tilla ndeshje kombëtare (gjithmonë quhen ndeshje) është edhe më i fuqishëm, edhe më i rëndësishëm.

Në këtë rast, madje, ndeshja bëhet vetë jeta për aq sa zgjat.

Mundet që sa thashë të duken patetike, po kush mund të më thotë se pathosi është i përjashtuar nga jeta e shëndetshme? Apo, nga jeta moderne? Nga jeta perëndimore? I jep përgjigje këtyre dyshimtarëve i madhi Al Pacino, në filmin e famshëm “Any given Sunday”, kur në rolin e trajnerit, në pushim të ndeshjes, pikërisht kur duhet motivimi që bën fituesin, thotë:

“ … Në këtë skuadër, ne luftojmë për çdo metër fushë. Në këtë skuadër, ne qajmë dhe bëjmë të qajë këdo rreth nesh për atë metër fushë. Ne e mbërthejmë me thonj atë metër fushë. Sepse ne e dimë që çdo metër fushe i fituar, në fund do të bëjë diferencën midis Fitores dhe Humbjes, ashtu sikur midis Jetës dhe Vdekjes. Dhe unë ju them që në çdo ndeshje do të ketë kundërshtarë që do jenë gati të vdesin për të fituar atë metër fushe. Por unë e di, që nëse do të kem jetë më pas, do të jetë vetëm sepse do e kem ende dëshirën të ndeshem dhe të vdes për atë metër fushe. KJO DO TE THOTE TE JETOSH!”

Çdo ndeshje është humbja ose fitorja jo thjesht e një loje, por e shpërblimit për shumë dhimbje, sakrifica, stërvitjeje sfilitëse, kohe të munguar familjare, premtimesh, rrëzimesh për t’u ringritur përsëri… shprese se meritojmë më shumë në këtë jetë.

Çdo ndeshje, ashtu si edhe në jetë, është përballje me kundërshtarë që duan të ta marrin këtë ëndërr, këtë shpresë, që është e madhe ngaqë nuk është për atë që ndeshet, por për ata që ndjekin ndeshjen me zemrat që harrojnë të rrahin.

Kjo është esenca e futbollit. Sikurse e jetës.

Forca djema! Ec përpara Shqipëri!

Me zemrën flakë!