Nga David Binder/

Kudo nëpër Shqipëri, ka një peizazh, kryesisht fshatar, ku pëllasin gomarët, hingëllijnë kuajt dhe këndojnë gjelat, përveç kryeqytetit, që përgjithësisht ka strukturë moderne, por më së shumti, duket si një bunker me majë të rrumbullakët. Mijëra e mijëra prej tyre, shfaqen në peizazh, pamja e të cilëve të ngjan me statujat parahistorike. Në qoftë se Gjermania Lindore, është vendi i ndërtimit të mureve, Shqipëria është vendi i ndërtimit të rreth 100 mijë bunkerëve. Të dyja këto vende, në vitin 1960, e nisën ndërtimin e tyre, kur qeveritë komuniste besuan se një botë armiqësore, ishte duke u konfrontuar me ta.

Në Shqipëri, bunkerët janë përdorur vetëm në raste të veçanta për stërvitje ushtarake, ndërsa disa pre tyre, janë shkatërruar. Përtej dalloheshin postat ushtarake, që të jepnin përshtypjen e një fshati bukolik, gjë që të sillte ndër mend të kaluarën e varfër të këtij vendi, njerëzit e të cilit, në pjesën me të madhe të kohës, mbetën të pushtuar për rreth 500 vjet nga Perandoria Otomane dhe më pas, humbi vëmendja e botës ndaj Shqipërisë, përgjatë 40 viteve të fundit.

Ka një mosbesim të madh dhe ulje në mënyrë të dukshme, të fuqisë së qeverisë komuniste të drejtuar nga presidentit Ramiz Alia, i cili nisi hapjen e vendit, që ka qenë i mbyllur për shumë dekada.

Fillimisht, në mënyrë të kujdesshme dhe me modesti të madhe, shqiptarët e zakonshëm bisedojnë me vizitorët perëndimorë nëpër rrugë dhe flasin rreth zemërimit të tyre, mbi të ardhmen e programit të “demokratizimit”, të ndërmarrë nga Ramiz Alia.

Disa shqiptarë flasin për protestat e kësaj pranvere, të ndodhura në një ndeshje futbolli në Kavajë, qytet i cili ndodhet në bregdetin e Adriatikut, ku parullat ishin drejtuar kundër doktrinës staliniste të Ramiz Alisë, pasardhësi i Enver Hoxhës, që e cilësonin fundin e “Dinastisë Hoxha”.

Kjo shfaqet haptas në dëshmitë e sigurta, se në fillim të muajit maj, kur Sokol Hoxha, djali i diktatorit, që vdiq 5 vjet më parë, i pranishëm në ceremoninë e hapjes së shërbimit telefonik me vendet perëndimore, në hotel “Dajti”, u përball me një grumbull njerëzish, që thërrisnin në rrugë; “Niku, Niku”! – një lidhje referuese kjo, që bëhej me diktatorin e fundit të Rumanisë, Nikolae Çaushesku.

Sokol Hoxha, është drejtor i Postës Shqiptare dhe shërbimit telefonik (sot Albtelekomi, – shën. red.). Tirana vlonte me historitë e demonstrimeve, goditjeve dhe konflikteve të dhunshme në qytete të ndryshme, gjatë këtyre pesë muajve të fundit, por informacioni, akoma ishte i kontrolluar rreptësisht dhe ishte e pamundur të ndaje faktet, nga trillimet.

Ndonëse fermat dhe fabrikat e Shqipërisë, të ngjajnë me ato të shekullit të XIX-të, nga takimi i vizitorëve perëndimorë me shqiptarët, del se ata kanë një nivel të lartë arsimimi dhe edukimi.

Ka njerëz të moshave 20, 30, 40 apo 50 vjeç, që tregohet se janë të mirinformuar rreth ngjarjeve, në çdo cep të botës dhe rreth zhvillimeve në fushat e specialiteteve të tyre, si; letërsia, ekonomia, inxhinieria, megjithëse ata nuk kanë pasur kurrë mundësi, që të udhëtojnë jashtë Shqipërisë.

Shumica prej tyre, dërgoheshin në stazh për të punuar një muaj çdo vit, nëpër kooperativa. “Kjo është një farë leje e zakonshme”, – thotë Gramoz Pashko, një profesor i Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, duke treguar punën e tij me lopata në fushë, së bashku me studentët e tij, gjatë tetorit të kaluar. “Arti, është vetëm gjysma e qëllimit të planifikuar, për punonjësit e specializuar”, – thotë ai.

“Gjithashtu, ne shohim se kanë ndryshuar marrëdhëniet, sidomos tek të rinjtë studentë”. Në fakt marrëdhëniet mes gjinive, kanë ndryshuar shumë gjatë sundimit komunist, në vendin që tradicionalisht ka qenë patriarkal.

Në fillim të shekullit, ishte bërë e zakonshme për një fis, që të merrte gurët dhe të vriste një femër, që kishte bërë tradhti bashkëshortore dhe ku gjakmarrja ishte një mënyrë jetese.

Në një studim të ri, të titulluar; “Femra, Martesa dhe Familja, – tradicionalizmi përballë modernizmit në Shqipëri”, profesor Pashko, tregonte se në të kaluarën e afërt, martesat bëheshin dhe përcaktoheshin nga prindërit dhe “dashuria në martesë”, ishte një gjë e panjohur.

Në bazë të një vëzhgimi mbarëkombëtar, të bërë gjashtë vjet më parë, tek 1308 shqiptarë të testuar, del se dashuria ishte renditur (vlerësuar) nga 43 % e të anketuarve, një vlerë e jashtëzakonshme në martesë, e ndjekur nga besnikëria, në 38.8 për qind.

Ngjashmërish, vëzhgimi zbuloi se martesat e ndërmarra nga çiftet, që janë lidhur që në 1960-ën janë arritur me dëshirën e çiftit, duke shënuar një numër në rritje të tyre.

Nën drejtimin e presidentit Alia, ndryshime të ngjashme kanë ndodhur në drejtimin publik të shqiptarëve. Veshjet e fundeve të shkurta te femrat, pantallonave të shkurtra dhe xhinseve tek meshkujt, shfaqen gjatë shëtitjeve të mbrëmjes, nga të rinjtë nëpër qytete. Të gjitha këto, ishin të ndaluara vetëm katër vjet më parë.

Ngjashmërisht, në kundërshtim me praktikat strikte staliniste të një viti më parë, tashmë fshatarët, lejohet të shesin, jo vetëm perimet, por edhe shpendë dhe mish të freskët, jashtë dyqaneve kryesore të Tiranës dhe autoritetet bashkiake, kanë lejuar vendosjen e tezgave nga tregtarët. Memorie.al

Shkrimi është publikuar më 15 maj 1990

Përgatiti për botim, Albert Gjoka