Vijojnë intensivisht kontrollet në të gjithë vijën bregdetare, ndaj mjeteve lundruese, kryesisht ndaj atyre të argëtimit, për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe të rregullave të lundrimit.
Nga Ksamili në Velipojë janë kontrolluar 78 mjete lundruese, kryesisht Jet Ski, skafe dhe gomone.
Si rezultat i kontrolleve, janë bllokuar për mungesë dokumentacioni, në Vlorë dhe në Durrës, 5 mjete lundruese, si dhe janë ndëshkuar pronarët e tyre, me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili.
Ndërkohë, në kuadër të monitorimit të perimetrit të sigurisë, në Velipojë, Vlorë dhe në Durrës, janë bllokuar 4 Jet Ski, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë secili, pronarët e këtyre mjeteve lundruese, për mosrespektim të perimetrit të sigurisë.
Policia Kufitare apelon për pronarët dhe për përdoruesit e mjeteve lundruese, për respektimin e perimetrit të sigurisë së pushuesve në plazhe, për zbatim me korrektesë të kërkesave ligjore për daljen në det dhe për pajisjen me dokumentacionin përkatës.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, të të gjithë vijës bregdetare.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional.