Tregu i shërbimeve celulare ka shënuar rritje në disa prej treguesve të tij gjatë vitit 2023. Viti 2023 ka shënuar ndryshime të rëndësishme në strukturën e këtij tregu, siç ishte bashkimi i operatorit Albtelecom sh.a., nga operatori One Telecommunications sh.a., gjë që ka çuar në rikonfigurimin e këtij tregu.

Nga të dhënat e evidentuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) numri total i kartave SIM arriti në rreth 3.8 milionë gjatë vitit 2023, që do të thotë 1.4 karta SIM për banor, shifër mё e lartё se mesatarja e rajonit tё Europës dhe ajo globale, përkatësisht 1.23 dhe 1.11 karta SIM për banor. Numri i pajtimtarëve të shërbimeve mobile përgjatë vitit të kaluar, arriti rreth 2.6 milionë. Referuar Raportit Vjetor të AKEP, numri i pajtimtarëve aktivë që kanë përdorur shërbimin internet celular në fund të vitit 2023 kapi shifrën prej rreth 2 milionë pajtimtarë.

Siç vërehet në grafik, numri i pajtimtarëve që kanë përdorur shërbimet roaming gjatë qëndrimit të tyre në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka shënuar rritje të vazhdueshme duke arritur në mbi 800 mijë pajtimtarë në vitin 2023, me një rritje rreth 36% nga viti pararendës. Tregues i rëndësishëm është edhe mbulimi i popullsisë me rrjet 3G, në nivelin rreth 99%. Raporti i paraqitur para deputeteve tregon se të ardhurat dhe investimet e rrjeteve te komunikimeve elektronike për vitin 2023 nënvizon se nga ofrimi i këtyre shërbimeve përgjatë këtij viti sipërmarrësit kanë gjeneruar rreth 37 miliardë lekë.

Në fund të vitit 2023, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ishte 2,615,000, ndërsa numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband celular ishte rreth 2,100,000, që përbëjnë respektivisht 95% dhe 75% të popullsisë së Shqipërisë.
Deputetet kërkuan që rëndësi e veçantë t’i kushtohet edhe monitorimit të cilësisë së shërbimit nga operatorët e telefonisë së lëvizshme, kontrollit dhe monitorimit të frekuencave si një pasuri kombëtare, si dhe probleme të veçanta që kanë në fokus mbrojtjen e konsumatorit.