Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vonesa për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës po ndodh për shkak të zgjedhjeve brenda Unionit. Kurti tha se tani atë që është dashur të bëjë Kosova për heqjen e këtyre masave e ka bërë, teksa shtoi se trysnia e Bashkimit Europian për mbajtjen e paqes dhe qetësisë në Ballkanin Perëndimor duhet të përqendrohet te Serbia. Për të mbetur në atmosferën e zgedhjeve brenda BE-së, Kurti i bëri një ftesë diasporës shqiptare që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Europian.
“Kjo [heqja e masave] nuk varet prej neve, krejt çka varet prej neve tashmë ka ndodhur. Ne edhe asokohe u patëm ndëshkuar padrejtësisht për shkak të eskalimit të situatës në veri të Kosovës dhe ky eskalim ka pasë adresë të qartë sa i përket përgjegjësisë. Ndodhi deeskalimi, mirëpo më pastaj ngjau edhe rieskalimi në shtator të vitit të kaluar kur e vranë rreshterin tonë, Afrim Bunjaku.
Tash gjendja sërish ka deeskaluar, a do të rieskalojë? Përgjigjja është në Beograd. Andaj atje duhet të bëhet trysnia për të pasë siguri dhe stabilitet në rajon. Unë besoj që heqja e këtyre masave ndëshkuese që po vonohet ka të bëjë më shumë me dinamikat e brendshme të Bashkimit Europian dhe sidomos me faktin që tash janë në fushatë zgjedhore për zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian që mbahen me datën 9 qershor…
Dhe që uroj të kenë pjesëmarrje sa më të lartë dhe me këtë rast e ftoj edhe mërgatën tonë që ka të drejtë që ta bëjë. Dhe është mirë që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse Parlamenti Europian në përbërjen e ardhshme do të ketë shumë ndikim edhe sa i përket Komisionit Europian, por edhe sa i përket mbështetjes për Republikën tonë, sa i përket edhe të drejtës dhe të vërtetës sepse e dimë qysh nganjëherë ka deformime të ndryshme në arenën ndërkombëtare”, tha Kurti.