Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka konfirmuar publikisht se i është drejtuar gjykatës me kërkesë për t’u divorcuar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, me të cilën ka mbi dy dekada martesë dhe tre fëmijë.
Por si duhet parë kjo lëvizje e tyre në kohën kur SPAK po kryen hetime për Metën dhe Kryemadhin.
Analisti i njohur, Skënder Minxhozi, tha se kjo ngjarje është sa e re aq dhe e vjetër.
Sipas tij, Ilir Meta ka shumë kohë që ka kaluar vijat e kuqe në sjelljet publike, ndërsa shtoi se detyrën që e ka keqmenaxhuar më shumë është ajo kur drejtonte Presidencën.
“Është një ngjarje sa e re aq dhe e vjetër. Aspekti I vjetër i kësaj krisjeje, është vetë personi Ilir Meta. Ilir Meta ka shumë kohë ka kaluar vijat e kuqe të sjelljes publike pasi I ka pasur të gjitha detyrat më të larta shtetërore. Detyrën e kreut të shtetit e menaxhoi në mënyrën më të keqen të mundshme”, tha ai.
Ai shtoi në “Special Report” se, hetimet për Metën dhe Kryemadhin nga SPAK janë në shkallë të avancuar dhe kjo “faktohet” nga revoltimi i Metës në publik. Sipas Minxhozit, ky divorc nuk do t’ua lehtësojë pozitën atyre përballë SPAK-ut.
“Hetimet janë në shkallë të avancuara. Kanë hyrë në ngjarje të tilla, si në ditëlindje, duket se është hetim kapilar dhe kjo pasqyrohet edhe nga acarimi i Metës në publik. Nuk besoj se një divorc mes tyre do të lehtësonte një pozitë kaq të vështirë të tij”, tha ai.
I pyetur se çfarë mund ta ketë detyruar Metën t’i drejtohet gjykatës për divorc, Minxhozi jep këtë mendim: “Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi ka qenë më e moderuar me SPAK, ndryshe nga Meta. Ky pozicioni në raport me Prokurorinë e Posaçme mund të këtë shkaktuar inatin, dhe mund të jetë një ndër shkëndijat, që i ka vënë flakën kësaj martese”, shtoi ai.