Armando Broja ishte një nga protagonistët e fitores së Shqipërisë në fitoren 3-0 përballë Lihteshtejnit në miqësoren e parë që Kombëtarja kuqezi zhvilloi në prag të EURO 2024. Sulmuesi 22-vjeçar realizoi në minutën e 31’ pas një asisti nga Nedim Bajrami, duke zhbllokuar takimin.
Edhe pse në ndeshjen e parë Broja arriti të bindte, e ardhmja e tij duket ende e turbullt, me Chelsean që kërkon ta largojë këtë verë yllin kuqezi.
Gjithsesi interesi për të nuk mungon, me tre klube që kanë hyrë menjëherë në garë për Brojën. I pari është Wolves, me klubin anglez që kërkoi ta huazonte shqiptarin edhe në merkaton e janarit, por e humbi vetëm në momentet e fundit, me Brojën që zgjodhi Fulham-in.
Por interesi është i lartë dhe jashtë Anglisë, me Monaco-n, që gjithashtu kërkon shërbimet e 22-vjeçarit. Klubi nga principata është rikthyer të luajë dhe njëherë në Ligën e Kampionëve dhe e sheh Brojën si një përforcim të mundshëm në majën e sulmit.
Një tjetër klub që do të luajë këtë sezon në Ligën e Kampionëve ka shfaqur interes për Brojën dhe bëhet fjalë për surprizën e Italisë, Bologna. Klubi i Serie A duket se do të humbasë këtë verë shërbimet e Joshua Zirkzee dhe e sheh yllin e Kombëtares shqiptare si zëvendësuesin e duhur.