Nga Aladin Stafa/
Javët po kalojnë dhe pas takimeve të para të të gjithë grupeve, cdo dashamirës i futbollit ka strukturuar tashmë në mendjen e tij një ide se cilët mund të jenë favoritët e trofeut dhe cilat janë ato skuadra që supozohet ta kenë të vështirë kalimin për fazën e ardhshme.
Edhe pse futbolli është një sport tejet dinamik dhe i paparashikushëm, mundësia për të parë kombëtaret e Gjermanisë, Francës, Portugalisë apo dhe Spanjës deri në fund të kompeticionit mbetet e lartë.
Kjo për disa arsye.
E vërteta është se në fakt, nuk duhet nisur asesi nga krahasimet e ndeshjeve përkatëse apo qoftë dhe rezultatet e pikëve. Është aftësia dhe forca e tyre e tyre fizike ato që arrijnë të zvogëlojnë cdo kundërshtar që kanë përballë. Nëpërmjet posedimit të topit apo dhe trysnisë së ushtruar.
Sidoqoftë, në Kampionatin Europian shihet se nuk ka më ndeshje të lehta ndaj dhe zgjuarsia për t’ia dalë mbanë qëndron tek menaxhimi i tyre. Një menaxhim që mund të realizohet me shumë gjasë nga lojtarë me klas që kombëtaret cilësuese i kanë në listë. Pas një sezoni të gjatë në top 5 ligat europiane vihet re qartë lodhja e shumë lojtarëve që edhe pse përfaqsojnë një kulturë, një komb apo një gjuhe të caktuar, tërhiqen për të bërë atë hapin e fundit të sakrificës duke u kujdesur më shumë natyrisht edhe nga dëmtimet.
Duke u kthyer pas në kohë, sigurisht ne kujtojmë se krenaria për të lozur për kombëtaren ishte e madhe, andaj dhe grinta e treguar nga lojtarët ishte edhe më parësore. Ndërsa sot, për shkak të globalizimit të një bote me hapa gjigand, le ta themi pa frikë se për yjet botërorë ky aspekt ka kaluar në plan të dytë. Përpos faktit që gjeneratat po ndërrohen, gjithmonë e më shumë po shohim se jo pak lojtarë nuk po e përfaqsojnë ashtu si duhet fanellën e veshur.
Rasti më konkret është ai i Francës ku përqindja më dominante e ekipit duket se është formuar nga grumbullimi i lojtarëve më të mirë prej kontinentit afrikan; një kombëtare që kampionatin vendas nuk e ka në nivelin më të mirë të vet dhe që i përulet kryekëput suksesit të disa emigrantëve të ardhur kohë më parë në atë vend.
A ka më nacionalizëm në Europë? A ka më simbole ? Pë cfarë luhet akoma ?
Futbolli dita-ditës po tregon që po kthehet në një biznes të ashpër ku lojtarët edhe pse mund të performojnë në nivele të larta, parësore kanë rritjen e vlerës së tyre dhe përfitimit personal duke i lënë mënjanë vlerat morale futbollistike.
E ku më mirë se në një skene europiane mund ta realizojnë këtë plan?
Mediat sociale kane luajtur gjithashtu një faktor në këtë pjesë, ku bashkë me lobimim dhe marketingun i kanë kthyer futbollistët në një produkt a në një gladiator të kohëve moderne. Ideja gjenerale është të luash mirë në europian që mandej të mund të fitosh një kontratë të majme. Por jo të luftosh për kombin tënd.
Duke qenë se futbolli është një sport kolektiv dhe marrëdhënia mes lojtarëve është e domosdoshëm, në takimet e para u vu re se yjet e cdo kombëtareje kishin për qëllim të tregonin cilësitë e tyre individuale pa pasur një kombinim organik me grupin, duke dhënë tek shikuesit një lojë të vakët, herë dembele e herë pa deshirë.
Ndaj për këtë arsye jo pa shkak gjatë këtyre viteve po vihet re gjithmonë e më shumë se si në këtë kampionat, pra atë europian por edhe në atë botëror gjithashtu, të luash për kombëtaren sa vjen e zbehet duke i lënë hapësirë shfaqjeve personale e spektakolare aq sa na bën të mendojmë se kur luajnë përgjatë vitit ata janë më të bashkuar, edhe pse vijnë nga vende te ndryshme.
Natyrisht ky ishte vetëm fillimi prej vëzhgimit që morëm në këto javë të para. Por gjithsesi është e ardhmja ajo e cila ose do të na e përgënjeshtrojë këtë parashikim ose do të na japë të drejtë. Ndaj në gjithë këtë lojë që mban pezull zemrat e miliona tifozëve kudo, një gjë mund ta themi me siguri, kombëtaret sigurisht nuk luajnë më si më parë.