Një zyrtar i lartë ushtarak i Koresë së Veriut ka kritikuar SHBA-në për zgjerimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, sipas medias shtetërore KCNA.
Pak Jong Chon, një nga zyrtarët kryesorë ushtarakë të Koresë së Veriut, tha se Rusia kishte “të drejtën të zgjidhte çdo lloj sulmi hakmarrës”, duke shtuar se nëse Uashingtoni vazhdon ta shtyjë Ukrainën në një “luftë me përfaqësues” kundër Rusisë, kjo mund të provokojë një përgjigje më të fortë nga Moska dhe një “luftë e re botërore”.
SHBA dhe Koreja e Jugut janë alarmuar gjithnjë e më shumë nga thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Veriut dhe i kanë akuzuar për shkelje të ligjeve ndërkombëtare duke tregtuar armë, shkruan Sky News.
Rusia mund të ketë marrë rreth 1.6 milionë predha artilerie nga Koreja e Veriut nga gushti deri në janar, raportoi të shtunën Washington Post.
Vladimir Putin dhe Kim Jong Un nënshkruan një pakt gjatë vizitës së Putinit në Phenian javën e kaluar, duke u angazhuar secila palë që t’i japë ndihmë të menjëhershme ushtarake tjetrës në rast të agresionit të armatosur.