Akademikja, shkrimtarja Lea Ypi është pjesë e panelit drejtues të Samitit të Qeverisjes Progresive që po mbahet në Berlin, një event historik, që mbledh bashkë intelektualë, aktivistë dhe vendimmarrës politikë. Ky samit po mbahet pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe nisi sot e premte 21 qershor dhe do të vazhdojë edhe nesër, 22 qershor. Synimi i këtij samiti është të debatojnë dhe hartojnë strategji për të dhënë një kontribut me ndikim në formësimin e një koncepti gjithëpërfshirës të sigurisë progresive për ta kthyer atë në veprim politik.
Në debatin e sotëm ishte edhe kancelari gjerman, Olaf që iu përgjigj pyetjeve të shkrimtares dhe aktivistes shqiptare, Lea Ypi, informon dritare.net
Scholz foli për politikat evropiane dhe shprehu nevojën që ka Evropa për një debat për politikën evropiane, në të mirë të vendeve të që bëjnë pjesë në bashkësinë Evropiane.
Lea Ypi ndërhyri për të thënë që nuk ka debat poltik në Evropë se në fakt nuk ka politikë, por vetëm politika. Ky është një problem i madh, thotë Ypi dhe po prek më shumë edhe Shqipërinë e cila aspiron të bëhet pjesë e BE-së.
Debati i Lea Ypit me Olaf Scholz
Lea Ypi: Unë mendoj se ne nuk kemi një debat evropian për politikën sepse ne në fakt nuk kemi politikë. Ne kemi vetëm politika. Kemi humbur politikën. Dhe ky është problemi. Kjo është edhe arsyeja pse në Shqipëri…
Olaf Shcolz: Për politikanët është diçka mjaft e vështirë për t’u pranuar. Por është një fjali e mirë.
Lea Ypi: Dakord. Më lejoni të jem edhe më konkrete. Janë politika partiake. Domethënë projekte parimore sesi shoqëria duhet të ndryshojë në dritën e krizës me të cilën përballemi. Unë realisht nuk shoh ndonjë shkëmbim ndërmjet projekteve parimore dhe palëve evropiane. Shoh që ka një lloj projekti që nuk i pëlqen kujt, që është e djathta ekstreme. Dhe shoh që ka një lloj narrative për konfliktin, për kulturën, për qytetërimet. Gjithashtu shoh se progresistët thjesht e ndjekin atë narrativë në vend që të krijojnë të tyren. Pra, nuk e kuptoj realisht se si mund ta ndryshoni debatin evropian nëse në fakt nuk keni një lloj politike që mund të mbështesë Evropën në tërësi me një vizion për Evropën që është një vizion parimor socialdemokrat. Unë e them këtë me shqetësimin, sepse unë jam nga Shqipëria dhe siç e dini në Shqipëri kemi të gjitha këto diskutime për zgjerimin evropian. Nëse ndaloni ndonjë person në rrugë dhe pyesni, kur është takimi i ardhshëm i negociatave për anëtarësim? Ata do t’ju tregojnë saktësisht se kur është takimi. Nëse i pyet se për çfarë është takimi, ata nuk do ta dinë. Dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm në nivelet e pyetjes së njerëzve në rrugë, por edhe në nivele shumë të larta, për fat të keq. Pra kjo sepse në fakt askush nuk e kupton vërtet se për çfarë shërben Evropa. Çfarë po bëjmë këtu? Pse jemi këtu? Çfarë projekti ka? Dhe kjo është humbja e politikës, të cilën e gjurmoj që nga shembja e Murit të Berlinit dhe fundi i Luftës së Ftohtë dhe të gjitha modelet që u vunë në lëvizje dhe mënyra në të cilën, nëse doni ta quani neoliberalizëm, unë e quaj kapitalizëm në fazën neoliberale që e ka zbrazur politikën nga shoqëritë, sepse është zëvendësuar me parti që janë shndërruar në entitete menaxheriale teknokrate, në liderë që drejtohen vetëm nga çështjet e karizmës dhe këto lloj diskutimesh krejtësisht të cekëta, jo parimore se si duhet të jetë një lider dhe si duhet të jetë një parti. I gjithë debati është për asgjë. Nuk ka asnjë substancë në këto debate. Ku është substanca?”, tha zonja Lea Ypi gjatë debatit me Olaf Scholz.
Për ta dëgjuar debatin klikoni këtu!