Rreth 28 mijë maturantë iu nënshtruan sot provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku u testuan për gjuhën e huaj.
Gazetarja Ajgena Korbi në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Breaking News” raportoi për ABC News më tepër detaje në lidhje me zhvillimin e testimit.
Provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e 30 minuta. Janë rreth 144 qendra provimi që do të administrohen nga 2700 punonjës arsimorë të të gjitha strukturave, të cilët janë angazhuar për të administruar, për të monitoruar procesin e Maturës Shtetërore. Provimet do të zhvillohen edhe në qendra me hapësira të mëdha siç janë palestra, korridore, ku 70% e mjediseve do të monitorohen nga kamerat për të siguruar dhe për të pasur një proces administrimi sa më transparent.
Pas provimit të gjuhës së huaj, më 10 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më pas më 18 qershor do kenë matematikën ndërsa më 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje.