Rezoluta e paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që mbështet planin e armëpushimit në Gaza, mori dritën jeshile të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 14 vende votuan pro planit që parashikon fundin e luftimeve në tre faza, ndërsa Rusia, si fuqi me të drejtë vetoje, abstenoi.
“Ne këtu votuam për paqen. Këshilli i Sigurimit gjithashtu dërgoi një mesazh të qartë në adresë të Hamasit: Prano këtë marrëveshje armëpushimi, që të është vënë në tryezë. Izraelin vetë e ka pranuar marrëveshjen. Luftimet mund të përfundojnë sot, nëse Hamasi bën të njëjtën gjë”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA-së në OKB. Plani parashikon fundin e luftimeve në Rripin e Gazës me tre hapa si dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga milicët terroristë të Hamasit në këmbim me palestinezë të burgosur. Sipas SHBA-së, edhe pse Hamasi e pa fillimisht planin si pozitiv, deri tani nuk e ka pranuar atë.
Nga ana tjetër, një aprovim të qartë publik i nuk ka pasur as nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, pavarësisht se Washingtoni insiston se Tel Avivi është pajtuar me idenë. Rezoluta i kërkon Izraelit dhe Hamasit “të zbatojnë plotësisht kushtet e armëpushimit pa vonesë dhe pa kushte”. Zëvendës ambasadori amerikan Robert Ëood e përshkroi atë si “mundësinë më të mire e më realiste për të sjellë të paktën një ndalesë të përkohshme të kësaj lufte”.
Udhëheqësit e Hamasit dhe të Xhihadit Islamik Palestinez, u takuan në Katar të hënën për të diskutuar marrëveshjen e propozuar të armëpushimit. Hamasi e përshëndeti miratimin e rezolutës së hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe tha në një deklaratë se është i gatshëm të bashkëpunojë me ndërmjetësit për zbatimin e parimeve të planit.