Gazetari dhe botuesi Mero Baze, i ftuar në Top Channel, ka zbuluar disa të dhëna interesante për vjehrrën e ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha.
Ai ka bërë publike disa informacione të marra nga një dosje e shërbimit inteligjent të shtetit në Shqipëri për veprimtarinë e saj si agjente e shërbimit inteligjent serb UDB.
Sipas Bazes, vjehrra e Berishës bënte takime të shpeshta në Ambasadën jugosllave në Tiranë dhe merrte edhe para nga konsulli jugosllav.
Ai ka shtuar se ajo është lejuar edhe të udhëtojë drejt Jugosllavisë në vitet ’80 duke qenë se thuhej se kishte një vëlla në Beograd.
Baze ka shtuar se ka informacione konkrete rreth kësaj çështje, si dhe dëshmitarët nuk mungojnë.
Këto informacione të ndjeshme Mero Baze tha se janë të shkëputura nga dosja e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit në Ambasadën jugosllave, duke shtuar se do të ishte e udhës që kjo dosje të hapej për publikun dhe të hetohej.