Nga Kreshnik Spahiu
Në vitin 1993 gjykoja një çështje divorci në gjykatën e Tiranës.
Hasani 71 vjeç nga fshati Ndroq, kishte kërkuar divorc me gruan e tij Hyrijen sepse ishte lodhur prej saj.
Para se të vendosja divorcin, organizova një seancë pajtimi që të kuptoja arsyet dhe ndërmjetsoja ribashkimin.
Në fillim të seancës pyeta Hasanin: “Pse ndjehesh i lodhur nga Hyrija?”
Ka rrjedhur plaka sepse ka hyrë në politikë – më tha. Ajo nuk bën asnjë punë shtëpie. As nuk prashit specat apo domatet, as nuk pastron shtëpinë dhe as nuk gatuan, por merret veç me mbledhje partie dhe sheh lajmet në TV.
Mbeta pa fjalë por e mblodha veten dhe i bëra Hyrijes pyetjen “1 milion doallar”: “O zonja Hyrije, kë dashuron më shumë ti: Hasanin apo Partinë Demokratike?”
Hyrija u shtang dhe ma ktheu me të qeshur: –
“Partinë e dua ditën, Hasanin natën”
Unë mbajta të qeshurën dhe e kapa situatën.
Ja ktheva Hyrijes me seriozitet dhe ngrita zërin:
“- O Hyrije, ndroje orarin e dashurisë, sepse Hasanit i duhesh ditën dhe jo natën. Burri jot në këtë moshë ka nevojë për hyzmet, punë, shërbim dhe muhabet. Ke dy zgjidhje o Hyrje:
1- Ose divorcohu nga partia ose nga Hasani?
2- Mbaji të dyja duke ndërruar turnin. Fli me Partinë Demokratike në ëndrra dhe pastro dhe gatuaj gjatë ditës.
Në fund zgjidha erdhi nga qielli në fakt:
Hyrijen dhe gjithë seksionin e Ndroqit i përjashtuan nga Partia Demokratie si tardhëtarë se u bashkuan me Spartak Ngjelën, duke i bërë rrjedhinisht nder Hasanit dhe Hyrijes që shpëtuan nga divorci.
Mu kujtua kjo historia e tyre kur pash telenovelën Meta-Kryemadhi.
MOTIVI I DIVORCIT: Ajo e kishte tradhëtuar partinë dhe flirtonte me SPAK.
Realisht po i qaja hallin gjygjtarit që do e gjykoj çështjen më qesharake në shekullin e ri.
Gjykata ka dy alternativa vendimarrje:
– Të vendos shpalljen fiktive të divorcit
– Të vendos mbylljen në psikiatri të kërkuesit
Fatmirësisht, populli për herë të parë e ka kuptuar tragji-komedinë me këta kllounë.
Të gjithë po lumturohen dhe po i mëshirojnë.
Në fakt ata nuk meritojnë as ti poshtrojnë.
Tragjedia e tyre sapo ka filluar. Ende nuk keni parë gjë akoma se çfarë do ju ndodh.
As hasmit nuk ja uroj fundin e tyre.