Zhoze Murinjo mendon se Italia në këtë kampionat Europian nuk ka për të lënë shenjë! Dhe kjo sipas trajnerit portugez, sepse ekipi i drejtuar nga Luçiano Spaleti, nuk ka talente si në të kaluarën.
Italia do të debutojë në Gjermani 2024 kundër Shqipërisë në Dortmund më 15 Qershor.
Deklaratën “Special One” e bëri nga Portugalia, nga ku ndoqi miqësoren e luzitanëve kundër Kroacisë, rivalëve të tjerë kuqezi.
“Jam këtu për të parë Livakoviçin, portierin tim në aksion! Si Portugalia, ashtu edhe Kroacia janë dy kombëtare të mira! Favoritet për europianin? Të gjithë e mendojnë si unë, Portugalia, Franca, Anglia, Gjermania e Spanja. Kampionët në fuqi? Italia nuk ka mjaftueshëm talente në këtë brez, nuk besoj se do të fitojë sërish!”
Murinjo tregoi edhe arsyen se përse pranoi që të merrte drejtimin e Fenerbahçes.
Ai tha se i mungonte që të luante për të fituar, e motivonte qe të luftonte që të mos humbte as edhe një pikë.
Portugezi theksoi se nuk ishte ndjerë kështu as te Roma, e as Totenhemi.