Do të jetë padyshim një përballje e zjarrtë. Siç e kemi thënë e stërthënë ditët e fundit, mbrëmjen e 15 qershorit, “Legjionarët” e Kombëtares sonë do të sfidojnë në “mitikun” e Dortmundit, “Signal Iduna Park”, kampionët në fuqi të Evropës, Italinë, në sfidën e parë të vlefshme për fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
Së fundmi, një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s e ka dhënë edhe “shkatërruesi” i mesfushës, së “Të Kaltërive”, Bryan Cristante, i cili e ka vlerësuar së tepërmi Shqipërinë, teksa i ka konsideruar “Legjonarët” tanë, si një rival të fortë edhe për faktin se shumë lojtarë shqiptarë e njohin mirë futbollin italian e ndër të tjera, Cristante shtoi se mund të fitojnë ndaj Shqipërisë vetëm nëse japin 100% në fushë.
“Shqipëria është një skuadër shumë e fortë, janë të vështirë për t’u përballur edhe për faktin se shumë lojtarë shqiptarë aktivizohen në Serie A dhe e njohin mirë kampionatin dhe futbollin italian. Na njohin mirë dhe e dinë se si do të luajmë, ndoshta ky është edhe problemi më i madh kundër tyre.
E dimë se nëse dhurojmë 100% në fushë dhe jemi të përqëndruar, mund të fitojmë. Në një grup si ky i yni, ndeshja e parë dhe një rezultat pozitiv merr shumë rëndësi. Megjithatë, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, Spanja dhe Kroacia e kanë treguar në këto vite se janë skuadra të mëdha. Por, edhe ne e kemi treguar këtë. Ashtu siç është e vështirë për ne, ashtu do të jetë e vështirë edhe për kundërshtarët. Nuk mund t’i lejojmë vetes hapa fals”,- u shpreh Cristante.