Armando Broja ishte një nga protagonistët e Shqipërisë në fitoren 3-0 kundër Lihtenshteinit, me sulmuesin 22-vjeçar që gjeti rrugën e rrjetës.
Gjatë grumbullimit me Kombëtaren kuqezi, Broja ka folur për prestigjiozen britanike “The Athletic”, duke treguar objektivat e tij për “EURO 2024”, marrëdhënien me trajnerin Sylvinho dhe për të ardhmen e tij me Chelsea-n.
“Nëse përfshihem me skuadrën, atëherë do të jetë një mundësi për t’i treguar botës se kush jam unë dhe se çfarë mund të bëj. Sa herë mendoj për Europianin, më sjell një buzëqeshje në fytyrën time. Kam ëndërruar gjithë jetën për një mundësi të tillë. Kam shumë për t’u dëshmuar njerëzve dhe vetes time. Në futboll ka shumë kritikë, njerëzit gjithmonë dyshojnë për ty dhe mbajnë mend vetëm ndeshjet me të dobëta, por kënaqësia e vërtet është t’i kapërcesh të gjitha këto.
Unë do të përdor të gjithë negativitetin si lëndë djegëse për t’u treguar njerëzve të kundërtën. Më është dashur ta bëj këtë gjatë gjithë jetës sime dhe ky Europian më jep këtë mundësi, të tregoj se jam kthyer nga dëmtimi im, se mund ta bëj kundër disa prej vendeve më të mira në botë, disa prej mbrojtësve më të mirë.
Unë thjesht dua t’i tregoj botës, vendit tim, familjes time, vetes, njerëzve që kanë dyshuar te unë, njerëzve që më kanë mbështetur, se mund t’i arrij pritshmëritë e mia dhe të bëhem lojtari që e di se mundem”, tha si fillim Broja.
Më pas ai u ndal te marrëdhënia me trajnerin Sylvinho, ku u shpreh: “Kam folur shumë herë me të në telefon dhe personalisht. Ai erdhi të më shihte në Angli kur isha me opaterica, por edhe kur luaja për Fulham-in. Ai më thoshte shpesh se dëshironte të punonte me mua dhe se unë isha pjesë e ekipit Kombëtar që ai po përpiqet të bëjë. Ai më bëri të ndihem i dashur dhe i vlerësuar. Është diçka që lojtarët e rinj kanë nevojë. Ai në thelb e siguroi atë krah rreth shpatullës kur më duhej.
Kur shkova në kampin e Shqipërisë në mars, ndjeva dashurinë që në momentin që mbërrita. Ishte ndoshta një nga momentet më emocionale edhe kur luajta. I kisha të gjithë tifozët që bërtisnin emrin tim dhe stadiumi ishte plot. Por është një realitet i hidhur që përfundova duke luajtur më shumë minuta për Shqipërinë gjatë atyre ndeshjeve sesa në katër muaj për Fulhami-n”. Sa i përket të ardhmes, Broja pranoi që është i gatshëm të largohet nga Chelsea këtë verë për në ekip ku do të mund të ketë më shumë minuta në dispozicion.
“Asgjë nuk është vendosur ende, por nëse më duhet të shkoj diku tjetër për t’u rikthyer në formën time, atëherë sigurisht që do të dëshiroja ta bëja këtë. Si lojtar, nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të jesh në fushë dhe të dish se ke një klub dhe një ekip që të mbron, një klub që të lejon të bësh gabime sepse e dinë se do të arrish diçka. Por për momentin, i gjithë fokusi im është të bëj më të mirën për Shqipërinë në Europian. Jam i emocionuar si çdo shqiptar në botë dhe mezi po e pres”, përfundoi 22-vjeçari kuqezi.