Bashkia e Fierit ka çelur sezonin turistik përmes një aktiviteti festiv në plazhin e Derëzezës. I pranishëm ishte dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili njëherazi është edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Fierit.

Në një prononcim për mediet, Balla tha se plazhi i Derëzezës dhe qarku i Fierit në tërësi ofron një produkt turistik i cili nis nga bregdeti dhe përfundon tek arti, kultura, antikiteti e kulinaria.

“Ajo çfarë ofron bregdeti i bukur i Semanit, Darëzezës, dhe i gjithë qarku i Fierit, është i pakrahasueshëm me ofertat e tjera turistike në vend. Bëhet fjalë për një plazh të virgjër. Janë rreth 25 kilometra vijë bregdetare. Jo vetëm deti, jo vetëm rëra, por e gjithë natyra është një ofertë e parezistueshme. Prandaj, përsëris edhe një herë ftesën për të gjithë pushuesit, qofshin vendas, qofshin shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare, qofshin të huaj, të vijojnë të frekuentojnë këtë bregdet të bukur dhe këtë zonë mikpritëse”, u shpreh Balla.

Sipas tij, “Fieri ka një ofertë shumë të pasur po të kemi parasysh dhe faktin që Fieri është dhe shtëpia e dy prej qyteteve antike, qoftë Apolonia, qoftë Bylisi. Në këtë drejtim, mendoj që axhenda turistike e një turisti që zgjedh të vijë këtu i ka të gjitha brenda, përfshi këtu dhe ushqimin e shkëlqyer të kësaj zone”.

Balla garantoi se janë marrë të gjitha masat nga Policia e Shtetit për të patur një sezon turistik sa më të qetë për pushuesit vendas e të huaj.

“Janë rreth 1600 forca policore të angazhuara për sezonin turistik, që do të garantojnë sigurinë publike në të gjitha pikat turistike të vendit, duke u fokusuar jo vetëm tek zonat bregdetare, por në të gjithë territorin. Duke mos harruar asnjëherë se Shqipëria tashmë ofron jo vetëm turizëm bregdetar, por edhe malor. Në këtë drejtim do të kemi fokus të veçantë edhe tek pjesa që lidhet me sigurinë rrugore. Do të kemi vendosje të Policisë Rrugore në të gjitha akset e rëndësishme dhe jo vetëm, për të garantuar sigurinë e çdo turisti, qoftë vendas apo i huaj”, tha Balla.