Berat Gjimshiti është gati të udhëheqë Shqipërinë në rolin e kapitenit gjatë Evropianit të Gjermanisë, me “Kuqezinjtë”, të cilët edhe pse janë shortuar në një grup tejet të vështirë ku do të përballen me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, sërish besojnë se mund të bëjnë mrekullinë.
Në një intervistë për prestigjiozen italiane, “Gazzetta Dello Sport”, Gjimshiti theksoi se “Legjionarët” e njohin mirë Italinë, kundërshtarin e parë që do të përballen në Evropian, me “shtatlartin” e “Bergmaskëve” të Atalanta, i cili u shpreh se Shqipëria e respekton Italinë, por nuk duhet ta mbivlerësojë.
“Kur luan kundër një kombëtareje si Italia nuk është se ke shumë avantazhe në favor, por kur e njeh kundërshtarin të shërben shumë për mënyrën si përballesh në fushë. Nëse nisemi mirë kundër Italisë, atëherë do të fitonim besim edhe për ndeshjet e radhës, do të mund t’i menaxhonim më mirë ato.
Italia sigurisht që është favoritja të shtunën, unë e di sepse e njoh potencialin e atyre që para tre vitesh u shpallën kampionë të Evropës. Edhe pse pas vitit 2021, Italia ka pasur ulje dhe ngritje. Janë një kundërshar që duhet t’i respektojmë, por jo t’i mbivlerësojmë”,- u shpreh lideri i prapavijës “kuqezi”.