Ajo që kanë bërë deri tani nuk shumëzohet me zero, por nuk vlen aq shumë, kjo pasi për “Pancerat” gjermanë, rezultatet e arritura në Grupin A mund të quhen më shumë “moral” për të vazhduar me sukseset, dhe ato ndeshje ishin teste për kolaudimin e formacionit dhe të stilit të lojës, gjë që la shumë për të dëshiruar në sfidën e fundit përballë Zvicrës.
Megjitahtë, tekniku Julian Nagelsman e ka përgatitur skuadrën me bindjen se kundër Danimarkës do të jetë e vështirë dhe se asgjë nuk është e garantuar, edhe pse “Die Manschaft” është ndër pretendentet kryesore për të fituar këtë edicion, të Kampionatit Evropian të futbollit, që po zhvillohet në shtëpinë e tyre.
Në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit, përballë “Vikingëve” danezë nuk do të jetë mbrojtësi Tah, i pezulluar për shkak të numrit të kartonave, ndërsa mbrojtësi tjetër, Antonio Rudiger ka rikuperuar veten në kohë para kësaj sfidë dhe tanimë ndryshime e vetme priten vetëm në sulm dhe pak në mbrojtje, ndërsa lojtarët kyç si Kimmich, Musiala, Toni Kroos e Ilkay Gundogan nuk pritet të bëjnë mungesa.
“E kemi të qartë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Danimarka është një rival i fortë dhe ne e kemi studiuar hollësisht. E respektojmë shumë sepse ka treguar se mund të shkaktojë të papritura. Jam i kënaqur me lojtarët e mi deri tani. I kemi realizuar objektivat, por tani vjen pjesa më e vështirë. Nuk dua të bëj parashikim apo të flas për penalltitë. Po ashtu, më lejoni që të mos zbuloj ndryshimet e mundshme në formacion apo stilin e lojës. Kjo do të mbetet sekret”,- u shpreh tekniku i 3 herë kampionëve të Evropës, vetëm një ditë para sfidës.
Danimarka është një fuqi “e vogël” e këtij Evropiani, me kampionët e vitit 1992 që treguan ndaj Anglisë se dinë të ndalojnë skuadrat e mëdha, dhe para 22 vitesh në finale mundën pikërisht Gjermaninë, mirëpo ndryshe nga përballja me “Tre Luanët”, tekniku Kasper Hjulmand ka vetëm një mungesë, të pezulluarin Morten Hjulmand, pritet të lërë një boshllëk goxha të madh në mesfushën daneze.