Pas vetëm katër ditësh, “Legjionarët” e Kombëtares sonë do të nisin, për të dytën herë në histori, rrugëtimin e tyre, në Kampionatin Evropian të futbollit, teksa gjithçka do të startojë me përballjen e 15 qershorit, ndaj “Të Kaltërve” të Italisë, për të vijuar me sfidat e 19 dhe 24 qershorit, ndaj Kroacisë e Spanjës, në grupin B, të Euro 2024, ose i quajtur ndryshe “grupi i ferrit”.
Sylvinho dhe djemtë e tij do të tentojnë të bëjnë surprizën e madhe në Gjermani, ashtu si Greqia bëri në Evropianin e vitit 2004, mirëpo asgjë nuk do të jetë e lehtë dhe këtë gjë e tregojnë edhe statistikat, me faqen e specializuar “Opta”, që ka analizuar mundësitë e 24 skuadrave që marrin pjesë në Euro2024, duke nxjerrë falë superkompjuterit edhe mundësitë e secilit ekip.
Sipas “Opta”, mundësitë e Shqipërisë për t’u kurorëzuar kampionë të Evropës janë vetëm 0.2%, duke qenë ekipi i parafundit sa i takon shanseve për sukses, vetëm para Gjeorgjisë e më tej “superkompjuteri” jep vetëm 0.8% shanse që “Kuqezinjtë” të arrijnë në finale dhe 3.2% për të shkuar deri në gjysmëfinale.
Sa i takon mundësive në grup, Shqipëria ka përqindje më të lartë për të dalë e katërta sipas “Opta”, teksa simulimi kompjuterik i jep 56,4%, vendi i tretë llogaritet, 25,7%, vendi i dytë 12,3% dhe ai i pari në grup vetë, 5,6%. Shanset e Shqipërisë për të shkuar në 16-she janë 33,4%, ndërsa përqindja zbret në 11,6 për kualifikimin në çerekfinale.
Ndërkaq, duhet theksuar fakti, se këto llogarit nga faqja e specializuar për analiza futbollistike, “Opta” janë realizuar përmes një programi të sofistikuar të dhënash, që ka simuluar 10 mijë herë gjithë turneun dhe janë përcaktuar përqindjet e çdo varianti të mundshëm të përfundimit të tij.