Trashëgimtarja e artë Paris Hilton ishte në Kongresin Amerikan, për të dhënë dëshminë e saj përpara një komisioni që shqyrton forcimin e mbrojtjes së fëmijëve. Ajo ishte aty për të folur për përvojën e saj traumatike kur prindërit vendosën ta dërgonin në një institucion për të mitur për të korrigjuar “sjelljen e saj problematike”.
Sipas Paris Hilton, programet u premtonin prindërve trajtim, zhvillim dhe mbështetje për fëmijët e tyre. Por gjërat ishin shumë ndryshe. “Përkundër asaj që premtuan, nuk më lejuan të flisja, të lëvizja lirshëm apo as të shikoja nga dritarja për dy vjet”, tha Hilton, duke shtuar se prindërit e saj ishin “mashtruar plotësisht”.
Brenda institucionit, Hilton përjetoi abuzim seksual dhe keqtrajtim në moshën 17-vjeçare, gjë që e la atë me shenja mendore. Madje ajo theksoi se telefonatat që nxënësit kishin me prindërit e tyre ishin të regjistruara dhe ata nuk mund t’u tregonin për gjithçka që kishin përjetuar atje. Edhe nëse do ta bënin, konvikti pretendoi se ishte sjellje e papërshtatshme nga ana e fëmijës dhe se ata po gënjenin.
“Është vërtet e vështirë t’i thuash dikujt në botën e jashtme. Shumë prej këtyre fëmijëve nuk besohen sepse këto vende u thonë prindërve se po i gënjejnë dhe i manipulojnë sepse duan të kthehen në shtëpi”, tha Paris Hilton. Ajo shtoi se industria e këtyre institucioneve arrin në 50 miliardë dollarë dhe se ato janë veçanërisht traumatike për një adoleshent.