Greqia dërgoi në Parlamentin Europian 21 eurodeputetë, gjatë zgjedhjeve që u zhvilluan të dielën. Pasi procesi tanimë ka përfunduar, shoqëria civile greke ka bërë një studim lidhur me profilin e kandidatëve që u votuan më së shumti dhe që fituan një vend në karriget e PE. Qendra për Studime Liberale ka krahasuar CV-të e 1168 kandidatëve të të gjitha partive, sa i përket gjinisë, moshës, arsimit, profesionit, zgjedhjeve të mëparshme dhe pozicioneve të mëparshme politike.
Kështu, analiza e rezultateve nga Qendra për Studime Liberale na tregon se shumica e votuesve në zgjedhjet europiane të 2024-ës treguan një preferencë ndaj politikanëve meshkuj mbi moshën 50 vjeç, të cilët kanë një diplomë bachelor. Mosha mesatare e të sapozgjedhurve është 54.4%, një përqindje më e lartë se mesatarja e kandidatëve nga të gjitha partitë parlamentare. Sa i përket arsimit të të zgjedhurve, shumica (64.7) kanë diplomë universitare. Vetëm 17.6% janë me diplomë master dhe 17.6% kanë doktoraturë.
Megjithatë, surprizues është e dhëna lidhur me faktin se 24% e të zgjedhurve janë gazetarë, përqindje e cila, siç thekson kreu i Qendrës për Studime Liberale, Constantinos Saravakos, është befasuese, duke qenë se gazetarët përbënin vetëm 7.48% të të gjithë kandidatëve që garuan. Më pas vijnë avokatët me 14% dhe akademikët vetëm 10%.
“Duke analizuar përqindjen e eurodeputetëve në periudhën 2019-2024 që u rizgjodhën në zgjedhjet europiane të vitit 2024, konstatohet se ata që u rizgjodhën përfundimisht kishin një aktivitet parlamentar mesatar më të ulët se ata që nuk u rizgjodhën. Nga rezultatet për aktivitetin e eurodeputetë për periudnë 2019-2024, del qartë se ka patur një preferencë për ata me karrierë politike. Megjithatë, është e qartë se të sapozgjedhurit në Parlamentin Europian kanë pasur një aktivitet parlamentar mesatar më të ulët në krahasim me ata që nuk janë zgjedhur”, thekson Saravakos, raporton media greke Kathimerini. Mes 21 eurodeputetëve grekë është edhe Fredi Beleri, kandidati i zgjedhur i Bashkisë së Himarës i dënuar me 2 vite burg nga GJKKO për korrupsion zgjedhor. Beleri ka pranuar se nuk ka një diplomë universitare dhe se ka ushtruar në Greqi zanatin e hidraulikut.