Poeti i njohur Agim Doçi u nda dje nga jeta në moshën 76- vjeçare. Doçi ndodhej prej mëngjesit të së shtunës në reanimacion në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT pasi pësoi hemorragji cerebrale.

Poeti kishte mbërritur me urgjencë me ambulancë nga Spitali Bashkiak i Pogradecit ku kishte ndodhur goditja në tru. Ai ishte shtruar në spital në Qendrën Stroke, pasi kishte shfaqur çrregullim të të folurit dhe pamundësi në ruajtjen e ekuilibrit. Por nuk mundi të mbijetonte dot ndërkohë që ceremonia e varrimit do të mbahet ditën e sotme në Tiranë, ndërsa homazhet do të zhvillohet në orën 11:00.

Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare. Ai ka krijuar më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivalet tona. Është fituesi i mbi 50 çmimeve dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë mes të cilave “Marshi i UÇK-së” dhe “A vritet pafajësia”. Bashkëpunëtorët e tij përcollën mesazhe ngushëllimi në rrjete sociale. Fatkeqësisht ai nuk ia doli dot duke mbyllur sytë përgjithmonë.

“O pendë artë e vargut poetik e të kënduar në breza. Te kjoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë, të bukur, e bëre jetën tonë, plot shpresë, mençuri, dashuri, patriotizëm, vlera, duke skalite në mosharresë emrin Agim Doçi. Ashtu si trokite në çdo zemër me vargun tënd të kënduar. Lamtumirë Agim Doçi” shkruan këngëtarja e njohur Myfarete Laze në një postim në “Facebook”, duke shprehur ngushëllime familjarëve të tij “Pushofsh në paqe me Zotin tënd”.

JETA E POETIT

Agim Doçi ka lindur më 9 maj 1948. Është një poet dhe autor këngësh shumë i njohur shqiptar. Është arsimuar në Shkodër deri në gjimnaz dhe ka vazhduar më pas studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj.

Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë. Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990. Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’. Për kontributin e tij është vlerësuar nga Presidenti Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”.

KRIJIMTARIA

Agim Doçi është autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion. Agim Doçi poeti i këngëve të bukura të cilat janë kënduar ndër breza dhe do të vijojnë të këndohen u nda sot nga jeta. Në vargje përdori fjalë të zgjedhura të cilat përcollën emocionin, dashurinë dhe jetën në të gjitha dimensionet e saj.

Të shoqëruara dhe me tingujt muzikorë u bënë këngët më të preferuarat për publikun. U kënduan nga këngëtarë të njohur të skenës shqiptare me të cilët fitoi dhe shumë çmime në festivale. Ndër këngëtarët me të cilët bashkëpunoi janë dhe Aurela Gaçe, Parashqevi Simaku, Leonora Jakupi, Myfarete Laze, Anjeza Shahini, kënga e së cilës shkruar nga Doçi ‘Dua të jem kujtimi yt’, fitoi festivalin e 41-të të RTSHsë dhe u rendit e shtata në Eurovision. Me vargjet e këngës “Imazhi yt” dhe zërin e këngëtares së talentuar Anjeza Shahini, në vitin 2004 Shqipëria arriti të merrte renditjen më të lartë deri tani në Festivalin europian të këngës.

Kënga e kënduar në anglisht, me titull “The Image Of You” u vlerësua me 106 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende konkurruese. Agim Doçi ka shkruar edhe tekstin e një tjetër kënge pjesëmarrëse në Eurovizion, në vitin 2009, e kënduar nga Kejsi Tola me titull “Më merr në ëndërr” e renditur në natën finale në vendin e 17-të. Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot. I këndonte gëzimit, dashurisë dhe jetës Mes tyre “Nata” e Aurela Gaces, “Loçka jeme” kënduar nga Albërie Hadërgjonaj, ‘Ma ke prish gjumin e natës’ kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri.