Nga Eduard Zaloshnja
Nga një analizë që kam publikuar para ca muajsh, më rezultoi se nëpër botë janë rreth 10 milionë shqiptarë deri në brezin e tretë (nga këta, gjysma jetojnë në trevat shqiptare dhe gjysma në zona të tjera të botës). Nuk mund ta di se sa nga këta 10 milionë e ndoqën direkt ndeshjen Itali-Shqipëri, por besoj se të gjithë do të jenë hidhëruar shumë që Rei Manaj nuk shënoi gol në minutën e 90-të, për të na siguruar një rezultat historik pozitiv.
Dhe besoj se ai rast i humbur për barazim në fund të ndeshjes me Italinë u jep shpresë 10 milionë shqiptarëve se kombëtarja jonë do të realizojë me Kroacinë atë që nuk realizoi dot me Italinë – një rezultat pozitiv (barazim ose fitore).
Kuptohet që trajneri Silvinjo e ndjen këtë dëshirë e pritmëri të 10 milionë shqiptarëve – ai e ka parë se sa e zjarrtë është përkrahja për ekipin tonë kombëtar. Sipas tij, ai ka grumbulluar 26 futbollistët më të mirë shqiptarë kudo që luajnë (nga 40 që ka studiuar me hollësi në 18 muajt e fundit). Tani mbetet të përzgjedhë 11 nga 26, për t’u përballur me Kroacinë. (Në 26-she mungojnë Rashica, Rrahmani e Muriqi, por kjo është një histori e vjetër; gjithashtu mungon edhe Gruda, por kjo është një histori në zhvillim.)
Në të gjitha ndeshjet zyrtare, Silvinjo ka preferuar të fusë në formacionin fillestar vetëm dy mesfushorë difensivë, ndryshe nga paraardhësit e tij që fusnin tre. Dhe ky bast i Silvinjos i dha frytet e tij në ndeshjet e grupit eliminator – Shqipëria u rendit e para në grup, duke lënë mbrapa ekipe si Çekia e Polonia, që ishin shumë më lart se ne në renditjen e FIFA-s.
Por përballë një kundërshtari edhe më të fortë, siç ishte Italia, mesfusha me vetëm dy mesfushorë difensivë rezultoi një sitë e shpuar, sidomos në pjesën e parë. Në fakt, një sinjal për brishtësinë e mesfushës me vetëm dy futbollistë difensivë, e dha ndeshja miësore kundër Kilit, futbollistët e të cilit vinin deri në zonën tonë të rreptësisë me lehtësinë më të madhe.
Në ndeshjen pasuese miqësore, atë me Suedinë, Silvinjo e filloi me tre mesfushorë difensivë, duke pozicionuar më të avancuar Bajramin dhe dy sulmues. Atë ndeshje nuk morëm dot një rezultat pozitiv, por loja ishte shumë më e balancuar. Dhe u duk se Silvinjos iu mbush mendja që në ndeshje zyrtare do të fuste tre mesfushorë difensivë. Por përballë Italisë ai iu kthye formulës së vjetër me dy mesfushorë difensivë…
Tani mbetet të shihet nëse Silvinjo do të ndryshojë mendje, siç ndryshoi pas ndeshjes shumë të dobët me Kilin. A do të fusë ai në fushë kundër Kroacisë 3 nga 5 mesfushorët difensivë që ka grumbulluar? Duhet ta peshojë mirë këtë gjë, sepse përkundër gjasave, 10 milionë shqiptarë presin një rezultat pozitiv me Kroacinë…
SHËNIM: Statisticienët e OPTA-s e kishin llogaritur 63% probabilitetin e fitores së Belgjikës, por fitoi Sllovakia… Edhe probabilitetin e fitores së Kroacisë ndaj nesh 63% e kanë llogaritur, por a do të fitojmë dot ne si Sllovakia?