Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë bashkëpunim të ngushtë me presidenten Vjosa Osmani, por sipas tij ndonjëherë kanë dallime dhe diskutime por të cilat nuk janë të patejkalueshme. Ai shtoi se të tilla raste nuk janë të patejkalueshme.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë se edhe me kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren e jashtme Gërvalla dhe presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime dhe ndonjëherë dallime. Por nuk besoj se ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme”, tha Kurti.
Kurti pasi u kthye nga vizita në Turqi tha të martën para gazetarëve se Korporata turke Baykar që prodhon dronët “Bayraktar” është një adresë e duhur për blerje të armatimit për FSK-në.
“Unë bashkëpunojë shumë ngushtë për të gjitha blerjet ushtarake me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe me komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin. Sigurisht se ne do të vazhdojmë me pajisje moderne për ushtrinë tonë.
Kemi dyfishuar shpenzimet për mbrojtje, trefishuar për armatim, katërfishuar për trajnime jashtë vendit. Korporata Baykar që prodhon dronin Bayraktar padyshim se është një adresë e duhur që duhet të kemi përherë parasysh për zhvillimin e mëtutjeshëm të ushtrisë sonë. Por çfarë pajisjesh, kur do t’i blejmë dhe sa? Kjo mund të merret vesh në të ardhmen”, tha Kurti.