Si mundet që një ish politikan i nivelit të lartë, nën hetim për krime shumë të rënda, banon në një ndërtesë në pronësi të bashkisë? Kjo është pyetja e madhe që kanë ngritur në Zvicër për Arben Ahmetajn, qëndrimi i të cilit në Lugano ka filluar të shqetësojë jo vetëm komunitetin atje por edhe politikën lokale. Në drejtim të Bashkisë së Luganos dhe autoriteteve të tjera vendore është kërkuar një interpelancë për informacion rreth Arben Ahmetajt që jeton ne nje vile luksoze nga këshilltarët lokalë Raoul Ghisletta, Edoardo Cappelletti dhe Mattea David.

Ata pyesin nëse Bashkia e Luganos “konfirmon që ndërtesa në Via S. Franscini i përket qytetit të Luganos” dhe nëse “a është në dijeni nëse ish-zëvendës kryeministër shqiptar dhe partnerja e tij banojnë rregullisht atje?”. Nënshkruesit e pyetjes duan gjithashtu të dinë nëse “ndarja e akomodimit të qytetit për personat e përmendur konsiderohet e rregullt?”.

Mediat zvicerane lokale, të kantonit italishtfolës Ticino, shkruajnë se janë interesuar të autoritetet lokale, janë pyetur drejtuesit e departamenteve të Pasurive të Paluajtshme dhe të Sigurisë, për të marrë pikërisht përgjigjen e këtyre pyetjeve ndërsa janë informuar se është e vërtetë që ndërtesa është në pronësi të bashkisë, ndërsa për emrin e Ahmetajt thonë se nuk e kanë parë kurrë.