Joe Biden nuk do ta falë djalin e tij, Hunter, nëse ky i fundit dënohet nga gjykata federale amerikane. Dëshmia e kunatës së Hunter Biden, me të cilën pati edhe një marrëdhënie intime mund të jetë prova e fajësisë ndaj djalit të Presidentit Joe Biden.
Gjyqi ndaj Hunter ka sjellë shqetësime të mëdha brenda familjes presidenciale e cila mund të përdoret nga republikanët gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e nëntorit
Familja e Joe Biden ndodhet në telashe. Djali i presidentit, Hunter Biden, rrezikon një dënim prej 25 vitesh burg dhe babai i tij president, nuk ka ndërmend ta falë. Në intervistën për median amerikane ABC News, Joe Biden e bëri të qartë se nëse Hunter dënohet, nuk ka për t’i dhënë amnistinë.

“Djali juaj Hunter është në gjyq dhe më lejoni t’ju pyes, a do ta pranoni rezultatin e jurisë, verdiktin e tyre, pavarësisht se çfarë është?”

BIDEN: “Po.”

MUIR: “Dhe e keni përjashtuar mundësinë për faljen e djalit tuaj?”

BIDEN: “Po”

Hunter Biden akuzohet për përdorim të substancave narkotike dhe armëve të zjarrit. Dëshmia që mund të fundosë djalin e njeriut më të fuqishëm të botës vjen nga kunata e tij me të cilën ka pasur dhe marrëdhënie intime, Hallie Biden. Në dëshminë e saj para jurisë, Hallie u ndje e turpëruar teksa rrëfente ngjarjet e 6 viteve më parë ku Hunter ishte konsumues i rregullt i lëndëve narkotike. Hallie deklaroi se do të pranonte fajësinë.

“Unë do ta pranoj fajin, nuk dua të jetoj më kështu”, citohet të ketë thënë ajo në sallën e gjyqit.

Dëshmia e Hallie Biden përfaqësoi një moment jetik në gjyqin federal të djalit të Presidentit Joe Biden. Dëshmia gjithashtu ofroi fakte të pazbardhura të shkatërrimit të familjes Biden dhe përpjekjeve për të përballuar vitet pasi Beau Biden – burri i Hallie dhe vëllai i Hunter – vdiq nga kanceri në vitin 2015. Hunter Biden është deklaruar i pafajshëm për tre akuza për krime ndaj tij. Ai akuzohet se ka mashtruar me vetëdije në dokumentet federale kur bleu armën e zjarrit nga një dyqan armësh në vitin 2018.