Një civil në Ukrainë u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga të paktën pesë sulme me raketa të ushtrisë ruse në qytetin Sllobozhanske, në jug të Kharkivit.
Guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, tha se në shënjestër të sulmeve ishte një kompleks rekreativ.
“Një civil u vra. Dy civilë, përfshirë një burrë dhe një grua, u plagosën”, shkroi ai në platformën Telegram. Forcat ruse, gjatë disa javëve të fundit, i kanë intensifikuar sulmet në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit. Në një sulm me raketa më 31 maj, në lagjen Novobavar të qytetit, nëntë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndodhet aktualisht në Filipine, për të promovuar një samit të paqes, që do të mbahet këtë muaj në Zvicër.